Grenell: Kurti është antiamerikan, Bideni ta ndalë

Ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka kritikuar ashpër liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në një postim në Twitter, duke iu referuar qëndrimit të Kurtit se do ta shqyrtojë vendimin për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Grenell i është referuar Kurtit si njeri që gjithmonë ka qenë antiamerikan.

“Lideri i ri majtist antiamerikan, Albin Kurti, ka qenë kundër politikave amerikane të Bill Clintonit, George Bushit, Barack Obamas dhe Donald Trumpit. Ai gjithmonë ka qenë antiamerikan. Ekipi i Bidenit duhet ta ndalë”, ka shkruar Grenelli.

Grenell ishte caktuar në pozitën e emisarit për dialogun Kosovë-Serbi, nga ish-presidenti amerikan Donald Trump. Me ndërmjetësim të tij, Kosova e Serbia nënshkruan disa zotime më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Ndër pikat kryesore ishte që Kosova të marrë njohjen nga Izraeli, teksa duhej të hapë ambasadën e vet në Jerusalem. Dy shtetet vendosën marrëdhëniet diplomatike në fillim të shkurtit.