Greqisë jepja gjithë tasin e groshës, prapë do grindet për një lugë që ka mbetur në kusi

0

Nga Arben Llalla

Disa ditë më parë Greqia lajmëroi se marrëveshja për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumë vjeçare greko-shqiptare që ishte parashikuar të nënshkruhej nga kryeministrat Tsipras-Rama për më 12 korrik u shty për në vitin 2019. Për këtë shtyrje nuk u dha asnjë sqarim si nga ana e Greqisë, ashtu edhe nga ana Shqipërisë. E vërteta është se Shqipëria po ia plotëson të gjitha kërkesat Greqisë si: Varrezat e Ushtrisë së Greqisë të 1940, njohjen e minoriteti grek në Himarë e Korçë, përcaktimit të kufirit detar në zonën ekskluzive ekonomike duke i dhënë 12 milje Greqisë, duke shkelur konventat ndërkombëtare, ndryshimin e toponimeve sipas kërkesës greke, si dhe ndryshimet e teksteve shkollore të Shqipërisë, ku duhet hequr fjala “Çamëri”, “Çam”, teksa duhet thënë që Epiri asnjëherë nuk ka qenë i banuar nga shqiptarët. Teksa pala shqiptare i ka plotësuar të gjitha kërkesat e Greqisë me diplomacinë “lepe-peqe”, Greqia deri tani ka bërë dy lehtësira si njohjen e patentave dhe vulën apostile, duke lënë në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë.

Nga burimet e besueshme të Ministrisë së Jashtme të Greqisë thuhet se shtyrja u bë, pasi Shqipëria duhet të zhdukë termin “Çam” dhe “Çamëri” nga librat zyrtarë si librat shkollorë të historisë, letërsisë dhe gjeografisë, librat që botohen nga universitetet shtetërore dhe Akademia e Shkencave. Të shtunën në Athinë u takuan përfaqësuesit e dy vendeve për heqjen e termit “Çam” dhe “Çamëri”. Pra, shtyrja e nënshkrimit të marrëveshjes është mos ndryshimi në kohën e premtuar nga qeveria Rama 2, i librave të Republikës së Shqipërisë në lidhje me Çështjen Çame, por sipas gjasave Greqia kurrë nuk do heqë Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Ai ligj do qëndrojë si hanxhar mbi kryet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, për të cilin Greqia përjetësisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë do vendosë Veton.

Greqia ka kërkuar me ngulm që mos të ketë asnjë studim në librat e historisë, studime, rreth origjinën shqiptare të arvanitasve të Greqisë, duke i kategorizuar si pjesë e popullsisë greke që janë shpërngulur me dhunë nga Jugu i Shqipërisë, të cilin Greqia e njeh me termin “Veriu i Epirit”.

Shqipëria është e nënshtruar përpara Greqisë përmes fuqisë ekonomike, e cila përcakton edhe zgjedhjet tona politike apo pozicionet e partive. Prandaj prej kaq vitesh sovraniteti kombëtar është i nënshtruar apo i kufizuar, sepse sovraniteti ekonomik përcakton edhe sovranitetin kombëtar, janë dy gjëra të lidhura ngushtë me njera-tjetrën. Kështu, shqiptarët ende do vazhdojnë të jenë të kufizuar në lëvizjet e tyre politike e kombëtare. Ende do na përfaqësojnë politikanë me kapacitete të kufizuar që i përcaktojnë në pozicionet e tyre politike, deputet apo ministra vendet që na kanë nënshtruar ekonomikisht.

Komentet

komentet