Greva në javën e pestë në shkollat e Kosovës, as sot nuk nisi mësimi

Greva në arsim në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë ka hyrë në javën e pestë, pasi që nuk është arritur marrëveshje mes Sindikatës dhe Qeverisë.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj vazhdon të deklarojë që deri në plotësimin e kërkesës për 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të pagave, greva nuk do të ndërpritet.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka bërë një ofertë prej 50 euro shtesë, por sindikata nuk i ka konsideruar të mjaftueshme.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës ka bërë të ditur se greva në arsim do të vazhdojë dhe janë shprehur se presin të ketë reflektim nga ana e Qeverisë.

E gjatë ditës së sotme Kurti tha se pret që mësimi të fillojë sa më pare dhe sindikalistëve i ka quajtur “sindikalist të PAN-it”.

“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar, prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë”, u shpreh ia.

Në lidhje me këtë deklaratë të Kurtit, ka reaguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përcjell Klankosova.tv.

“Tash, e paska quajtur SBASHK-un sindikatë të PAN-it. Cilit PAN?! Nuk ka PAN. Ka grevë! SBASHK-u nuk po tregohet partner fleksibil, por gatishmëria që fëmijët të vuajnë, vetëm e vetëm që Albin Kurti të quhet i “pathyeshëm” nga militantët e tij, është mentalitet diktatorial”, ka thënë Krasniqi.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe SBAShK-u, duke thënë se një deklaratë e tillë nuk ka asnjë argument të bazuar.

“Deklarimi i Kryeministrit Kurti duke mos pasur as edhe një argument të bazuar se sindikalistët janë të PAN-it ka krijuar indinjatë të grevistët dhe ka dëshmuar se Kryeministri dhe Qeveria as tani nuk janë të angazhuar e të interesuar për tejkalimin e situatës në gjithë sektorin e arsimit dhe te shërbyesit civilë dhe krijohet përshtypja se në vend të angazhimit për takime e arritjen e marrëveshjes së pranueshme Kryeministri dhe Qeveria sikur po angazhohen e dhe sikur kanë dëshirë që greva të vazhdojë . Ky dyshim i grevistëve është forcuar pas vazhdimit të deklaratave pa as edhe një argument e fakt të Kryeministrit lidhur me grevistët dhe sindikalistët në përgjithësi”, thuhej në reagimin e SBAShK-ut.

Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) të enjten e 25 gushtit shpalli grevën e përgjithshme për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës. Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli në fillim të grevës pati deklaruar se ajo do të zgjasë derisa të përmbushen kërkesat e tyre./Bota Sot