Greva në sektorin publik sot zhvendoset para Ministrisë së Financave

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë vazhdon grevën e paralajmëruar në sektorin publik përmes së cilës kërkohet rritje lineare e pagave për 2.806 denarë. Sot, siç kanë njoftuar nga LSM-ja, në kuadër të grevës do të organizojnë protestë para Ministrisë së Financave.

LSM dje ka organizuar një tubim protestues para godinës së Qeverisë. Me çrrastë sindikalistët vendosën 21 ulëse para godinës së qeverisë. Po aq ministra ka në qeveri. Sindikatat në mënyrë simbolike i ftuan funksionarët që të largohen nga ambientet me ajër të kondicionuar, të ngrihen nga kolltukët prej lëkure dhe të dalin jashtë për ta dëgjuar zërin e punëtorëve, shkruan Alsat.

Ministrat nuk dolën, kështu që lideri i LSM-së Darko Dimovski i thirri përmes megafonit që të gjejnë zgjidhje të menjëhershme për të punësuarit në sektorin publik.