Fraksioni i BDI-së, i njohur me emrin “grupi i zjarrit”, nuk është duke munduar për formimin e ndonjë subjekti të ri, por as nuk e kanë ndër mend të ndalen me takimet me qytetarët dhe mbështetësit e tyre. Këtë e konfirmon edhe nënkryetari i partisë Izet Mexhiti, madje duke paralajmëruar intensifikim të takimeve.
“Ne vazhdojmë me aktivitete në bazë. Do të intensifikojmë takimet periudhën që vjen”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Analisti politik Imer Selmani shpreson që Ahmeti të gjejë marrëveshje pajtimi me Mexhitin e Bexhetin sepse formimi eventual i një partie të re, do ta përçante edhe më tepër votën shqiptare. Ai në një prononcim për TV21 thotë se në të kaluarën ka pasur suksese dhe mossuksese të fraksioneve.
“Duhet marrë parasysh faktin se njerëzit të cilët veprojnë si fraksion janë një strukturës e kahmotshme, e vjetër, shumë mirë njihen me njëri-tjetrin. I dinë mundësitë e njeri-tjetrit. Flas për strukturat e BDI-së por gjithashtu edhe për njerëzit të cilët identifikohen si fraksion. Dëshiroj që Ali Ahmeti me Izet Mexhitin dhe Blerim Bexhetin dhe gjithë shokët e vjetër të ulen dhe të bëjnë tentativën e fundit për të gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë e cila shqetëson jo vetëm strukturat e BDI-së por edhe gjithë dashamirët e votës së lirë”, tha analisti Imer Selmani.
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski, për Fokus tha se pas zgjedhjeve të ardhshme do të koalicionin me çdo parti shqiptare, përveç BDI-së, për të cilët tha se dera është e mbyllur. Por a do të bashkëpunonte VMRO-DPMNE me “Grupin e zjarit”?
“Edhe ata janë pjesë e BDI-së. Ne do të donim të bashkëpunojmë me opozitën shqiptare nëse pranohen përcaktimet programore që do t’i vendosim. Nuk është gjë e vogël. Në Maqedoni shpesh luhet me terminologji të tilla. Por ne do të insistojmë në disa punë”, tha Aleksandar Nikolloski, nënkryetar i VMRO-DPMNE për Fokus.
Fraksioni “Grupi i zjarrit” në BDI ka rreth 2 vite që shpreh pakënaqësi për Qeverinë aktuale, veçanërisht punën e ministrave të BDI-së për realizim të dobët programor./Tv21