I ashtuquajturi “grupi i zjarrit” në BDI, nga sonte nis takimet në terren me qytetarë dhe anëtarë të partisë.
Takimin e parë pritet ta realizojnë sonte në orën 19 me strukturat partiake të Degës së BDI-së në Studeniçan, ku, siç thonë, do të sqarohen në hollësi analiza e punës së ekzekutivit për 2 vitet e fundit. Në këtë takim është paralajmëruar se do të jetë nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti, sekretar organizativ Blerim Bexheti, kryetar i Këshillit mbikëqyrës të BDI-së Musa Xhaferi si dhe disa anëtarë të tjerë të kryesisë së lartë të partisë.
Kjo zbritje në terren e “grupit të zjarrit” nënkupton komunikim i drejtpërdrejtë i grupit të zjarrit me degët e partisë, të cilëve do t’ua prezantojnë shqetësimet, sidomos për mosrealizim të programit si dhe kërkesat që kanë. Këto takime vijnë pak ditë pasi në një konferencë për media ata publikisht folën për pakënaqësitë e tyre nga puna e bashkëpartiakëve të tyre në Qeveri. Dalje publike e bënë pasi, siç thanë, mbledhjet në parti janë ndërprerë dhe kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh. Akuzat kryesore që u adresuan ishin ndaj zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubit, për të cilin Mexhiti tha se “vendimmarrja është bërë privilegj ekskluziv i një klani të ngushtë të tij”.