Guardiola: Lojtarët do ta zgjedhin kapitenin e ardhshëm

0

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, thotë se ai do t’i lejojë lojtarët e skuadrës së tij ta zgjedhin kapitenin e ardhshëm të kampionit të Premierligës.

Ish-kapiteni i Manchester Cityt, Vincent Kompany, u pensionua në fund të sezonit të kaluar, duke ia lënë kështu Pep Guardiolës detyrën për ta gjetur kapitenin e ri, transmeton Gazeta Express.

Mesfushori David Silva e mbajti shiritin e kapitenit të Manchester Cityt për ndeshjen parasezonale kundër West Hamit, të cilën “Citizens” e fituan me rezultat 4:1, në Kinë.

Megjithatë, Guardiola ka bërë të ditur se zëvendësuesi permanent i Kompanys, për ta mbajtur shiritin e kapitenit të skuadrës, nuk do të zgjidhet deri sa të përfundojë pushimi veror për të gjithë futbollistët.

“Ata do ta zgjedhin kapitenin kur të jemi të gjithë bashkë”, ka thënë Guardiola.

“Pasi të bëhen të gjithë bashkë, ata do ta mbajnë një takim dhe do të vendosin se kush do të jetë kapiteni i ardhshëm”.

Mesfushori tjetër i Manchester Cityt, Kevin de Bruyne, ka thënë se ai do të ishte i kënaqur ta mbante shiritin e kapitenit sezonin tjetër, nëse i ofrohet ky rol.

“Nëse skuadra dëshiron që unë të jem kapiten, ose nëse klubi e dëshiron këtë gjë, unë do ta pranoj me gjithë qejf, por mendoj se kjo është diçka për të cilën e gjitha skuadra dhe klubi duhet të flasë së bashku”.

“Për këtë duhet të flasim kur të kthehen në skuadër të gjithë lojtarët”.