Guterres: Një “fitim imoral” në këto kohë krize

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres kritikoi “lakminë” e kompanive të mëdha të naftës dhe gazit që po bëjnë fitime rekord “mbi kurrizin e më të varfërve” falë krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, duke u bërë thirrje qeverive që të komunikojnë me to.

“Është e pamoralshme që kompanitë e naftës dhe gazit po bëjnë fitime rekord falë kësaj krize energjetike, mbi kurrizin e banorëve dhe komuniteteve më të varfëra, me klimën që paguan një çmim të madh”, tha Antonio Guterres në një konferencë për shtyp në kuadër të raportit të tretë i OKB-së për pasojat ndërkombëtare të pushtimit rus në Ukrainë.

“U bëj thirrje të gjitha qeverive të tatojnë fitimet e tepërta dhe t’i përdorin ato para për të ndihmuar më të cenuarit në këto kohë të vështira,” shtoi ai, duke vlerësuar se kompanitë më të mëdha të naftës dhe gazit fituan afro 100 miliardë dollarë në tremujorin e parë të 2022.

“Unë u bëj thirrje njerëzve që t’i dërgojnë një mesazh të qartë industrisë së karburanteve fosile dhe financuesve të saj: kjo lakmi qesharake po ndëshkon më të varfërit dhe më të pambrojturit duke shkatërruar shtëpinë tonë të vetme të përbashkët, planetin,” tha Guterres.

Gjendja e pasigurisë ushqimore

Pas analizës së fundit në qershor, “ndikimi i krizës së fuqisë blerëse ndihet më thellë dhe më gjerë në botë”, thekson raporti.

Në të njëjtën kohë, paralajmërohet se deri në fund të vitit 2022, rreth 345 milionë njerëz në 82 vende mund të gjenden në një situatë të pasigurisë ushqimore, që është 47 milionë më shumë për shkak të kësaj lufte.

Në këtë kuptim, raporti, i cili trajton veçanërisht “krizën e madhe energjetike”, u bën thirrje qeverive të njohin banorët më të rrezikuar dhe t’u ofrojnë atyre burime “të përballueshme” të energjisë.

Për të trajtuar krizën pa rrezikuar angazhimet për zbutjen e ndryshimeve klimatike, qeverive u kërkohet veçanërisht të ndërmarrin hapa për të reduktuar kërkesën për energji (kursimi i ngrohjes dhe ajrit të kondicionuar, reduktimi i trafikut ajror, rindërtimi i ndërtesave) dhe përshpejtimi i zhvillimit të burimeve të energjisë së rinovueshme. /tesheshi