Edon Zhegrova është padyshim një nga lojtarët e momentit. Anësori shqiptar po përjeton formën më të mirë në karrierën e tij.
Ai ka tërhequr vëmendje të madhe me paraqitjet e tij, duke ngjallur interesin e klubeve si Juventusi apo edhe Manchester United-i në merkato. Por kur të gjithë presin transferimin e tij, presidenti i Lille-s ka dhënë një deklaratë të papritur.
Olivier Letang ka thënë gjatë “After Foot” në “RMC Sport” se Zhegrova nuk është gati për një klub të madh.
Presidenti i klubit francez ka vlerësuar talentin e pabesueshëm të lojtarit të Kosovës, por ka theksuar se klubet e mëdha kërkojnë futbollistë që kanë vazhdueshmëri dhe që nuk kënaqen vetëm me një gol gjatë ndeshjes.
“Edoni është një djalë shumë i mirë, që ka një talent të pabesueshëm.
Më kujtohet biseda e par që patëm përpara se ai të vinte te ne.
I thashë që nuk do të t’i mësonim atij se si të driblonte.
Ai e ka dhunti driblimin. Në anën tjetër, ka disa gjëra, nëse do që të shkosh në nivelin më të lartë.
Duhet të kesh vazhdueshmëri.
Klubet e mëdha kërkojnë lojtarë që në çdo ndeshje do të kenë një performancë të nivelit të lartë.
Më kujtohet që kishim një diskutim me Edonin pas një ndeshjeje në Le Havre vitin e shkuar.
Po udhëhiqnim 2-0 në pjesën e parë, ai shënoi një gol të jashtëzakonshëm dhe dha një asist.
Në pjesën e dytë bëri çfarë deshi vetë. Lojtarët që janë vërtetë të mëdhenj dhe që luajnë në klube të mëdha, kur shënojnë dy gola, duan të shënojnë të tretin dhe pastaj të katërtin në mënyrë të vazhdueshme.