Në sallën solemne të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve u bë sot hapja e Ditëve të Alfabetit me temën qendrore “Profili shumëdimensional i shkrimtarit Ismail Kadare”. Në ngjarje morën pjesë përfaqësues politikë, anëtarë të korit diplomatik, akademikë, hulumtues shkencorë dhe familjarë të trungut të familjes Qiriazi.
Në fjalën e tij hyrëse, drejtori i Institutit, Skender Asani, theksoi se Kongresi i Alfabetit ka shërbyer si një ngjarje unifikuese për shqiptarët dhe një urë komunikimi me fqinjët ballkanas e
miqtë evropianë. Ai vlerësoi se letërsia shqipe, përfaqësuar nga emra të shquar si Ismail Kadare, ka ndjekur dhe ruajtur trashëgiminë e elitës kulturore shqiptare, duke ndërtuar monumente të
përhershme të kujtesës kombëtare, andaj ai është dhe tema qendrore e edicionit të sivjetshëm.
Ndërkaq, Zëvendëskryeministri i Parë i RMV-së, Izet Mexhiti, e përshkroi këtë ngjarje si një hallkë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një kujtesë për përgjegjësinë që bartësit e funksioneve politike kanë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ai njoftoi gjithashtu se komuna e Çairit do të nderohet me emërtimin e një rruge në nder të familjes Qiriazi, duke
simbolizuar rëndësinë e gjuhës në bashkimin kombëtar.
Përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të RMV-së, z. Bllazhe Boev, u shpreh se përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore dhe se zhvillimi i larmisë gjuhësore në
Maqedoni është vlerë që e pasuron vendin. Ndërkaq akademiku Gëzim Hoxha, përfaqësues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, theksoi simbolikën e Kongresit të Manastirit
si një faktor përbashkimi kombëtar i cili vazhdon të shërbejë si një faktor kohezioni mes shqiptarëve kudo që ata ndodhen.
Në fjalën e tij, konsulli i Ambasadës së Shqipërisë, Enea Rrapo, përshëndeti iniciativën e Ditëve të Alfabetit na ITSHKSH, po edhe shpalljen e 22 nëntorit si festë zyrtare për here të parë
sivjet në Shqipëri.
Znj. Suejla Dako, përfaqësuese e trungut familjar të Qiriazi-Dako, foli në emër të Robertit, nipit të Sevasti Qiriazit, duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të ndjekin frymën rilindase dhe të angazhohen nën shenjën e bashkëvëllazërisë dhe respektit.
Një pjesë e rëndësishme e manifestimit ishte përurimi i botimit të edicionit të pestë të Ditëve të Alfabetit nga kryeredaktorja dhe bashkëpunëtorja hulumtuese e ITSHKSH Hidajete Azizi, botim ky që përmbledh aktivitetet shkencore nga po ky manifestim vitin e kaluar.
Gjatë Ditëve të Alfabetit, nga 14 deri më 22 nëntor, studiues nga Tirana, Prishtina dhe vendi do të trajtojnë me qasje të ndryshme dhe unike figurën e Ismail Kadaresë, duke e analizuar nga
këndvështrime të ndryshme dhe pritet që kjo ngjarje të ketë një përmbajtje të pasur dhe mjaft të
veçantë.