Hapet festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’, organizatorët bëjnë thirrje për paqe

Me thirrje për paqe e bashkëpunim për të kaluar problemet dhe paragjykimet në mes të shqiptarëve dhe serbëve, ka nisur sonte në Prishtinë edicioni i tetë i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”.Thirrja nga festivali vjen një ditë pas tensioneve në veri të Kosovës, ku forcat e Policisë ndërmorën aksion kundër kontrabandës por u përballën me protestues të dhunshëm serbë. Drejtori i “Integra”-s, Kushtrim Koliqi, organizator i këtij festivali, tha gjatë fjalës së tij se pavarësisht rrethanave për shkak të pandemisë dhe, siç pohoi ai, ambientit tejet toksik politik, si çdo edicion, ky festival do të promovojë vlerat e përbashkëta dhe respektin e ndërsjellët mes dy popujve.

Për të e rëndësishme është që festivali “Mirëdita, dobar dan!”, t’u ofrojë qytetarëve të dy vendeve një mundësi që të shohin një realitet ndryshe. “Një realitet ku e kaluara kujtohet dhe kuptohet drejt, një mundësi që qytetarët e dy vendeve, por edhe artistët, aktivistët, hulumtuesit e akademikët të njihen, ta dëgjojnë e kuptojnë njëri-tjetrin”, ka thënë ai. Ndërsa ka përsëritur se aktori Bekim Fehmiu vazhdon të mbetet frymëzimi i këtij festivali. Ndërsa, Ivan Gjuriq, drejtor programor i Iniciativës së të rinjve për të drejtat e njeriut (YIHR), njëri nga organizatorët e festivalit, tha gjatë fjalës së tij se pavarësisht krizës politike dhe shëndetësore, mbajtja e këtij festivali vjen në një moment të duhur, për t’i dhënë mundësi bisedimeve dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. “Ky festival ekziston për këtë, për t’u ballafaquar me këto probleme, për të biseduar, kuptuar dhe për t’i zgjidhur ato. Ne nuk ëndërrojmë se në të ardhmen do të vijë një momentin kur shqiptarët dhe serbët do të pajtohen për të gjitha, por ëndërrojmë për një moment kur shqiptarët dhe serbët do të komunikonin me njëri-tjetrin dhe do të gjenin zgjidhje përmes bisedimeve, por, nuk duhet biseduar siç po bisedojnë liderët politikë, Kurti e Vuçiq”, ka thënë Gjuriq.
Ai ka thënë se çështjet në mes të Kosovës e Serbisë nuk duhet të zgjidhen në Bruksel, por në Beograd, Prishtinë, Mitrovicë, në Pejë. “Festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’ është një hapësirë ku mund të njoftohet një Serbi tjetër e cila dëshiron që të diskutohen çështjet ndoshta me të vështira për t’u diskutuar për shoqërinë serbe. Për Serbinë është mirë që të prezantojë disa njerëz të tjerë pasi që imazhi i vetëm që Serbia ka është ai i forcave civile në aksion dhe kjo duhet të ndryshohet”, ka potencuar Gjuriq. Edicioni i tetë i ‘Mirëdita, dobar dan!” është hapur me një performancë muzikore të “Drag Queens and DJ” nga Beogradi dhe shfaqjen e filmit dokumentar “Hold me right” nga Danijela Stajnfeld.Festivali do të vazhdojë të premten me promovimin e librit të Shkëlzen Gashit “Serbia tjetër: Bogdan Bogdanoviq”, debatin “Cila është Serbia tjetër?” dhe koncerti “Pavana and more” me pianistet Branka Parliç dhe Natasha Peneziç. Aktivitetet e këtij festivali do të mbahen në Kino “Armata”, në Pallatin e Rinisë dhe në Galerinë e Fakultetit të Arteve.Hyrja në të gjitha ngjarjet e programit do të jetë falas. Festivali “Mirëdita, dobar dan!” si qëllim të vetin ka shkëmbimet kulturore në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga “Integra”, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe “Rockefeller Brothers Fund”.