Hapet thirrja për subvencionim të kompanive mikro dhe të vogla, njoftoi Bekteshi

Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrjen për aplikim për subvencionim të kompanive mikro dhe të vogla në Maqedoninë e Veriut.

Siç njoftoi ministri Kreshnik Bekteshi, thirrja do të qëndrojë e hapur deri më 16 prill.

“Deri më 16 prill kompanitë mikro dhe të vogla do të kenë mundësi të aplikojnë për subvencione për blerjen e veglave të punës, por njëkohësisht edhe për pajisjen me makina, si dhe për instalimin e paneleve fotovoltaike do të kenë mundësi të kofinancohen nga ana e Ministrisë së Ekonomisë deri në 50% të harxhimeve që i kanë bërë për këtë dedikim”, tha Bekteshi, transmeton TV21.

Kjo masë për suvencionim kap vlerën prej 30.7 milionë denarë dhe një kompani nuk do të ketë mundësi të fitojë më shumë se 400 mijë denarë.

Mjetet janë ndarë në mënyrë të barabartë sipas rajoneve në vend, premtoi më tej Bekteshi, ndërkaq nëse kompania udhëhiqet nga gratë, subvencioni rritet për 10%./TV21