Zëvendës ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se raporti për matjet dhe testimin e urës mbi Ibër do të publikohet të martën, pasi kompania që ka kryer punimet do t’ia dorëzojë atë ministrisë. Por, Durmishi nuk ka bërë të ditur se kur do të hapet ura.
Partia në pushtet Vetëvendosje ka kundërshtuar çdo kërkesë që për hapjen e urës së Ibrit të diskutohet me Serbinë. Ndërkohë, opozita kërkon nga Qeveria t’i garantojë bashkësisë ndërkombëtare se hapja e saj nuk do të shkaktojë incidente në veri.
Matjet dhe testimet për qëndrueshmërinë e urës mbi lumin Ibër kanë përfunduar dhe një raport mbi qëndrueshmërinë e saj për qarkullimin e automjeteve pritet të dalë të marten. Zëvendës ministri i infrastrukturës Hysen Durmishi nuk i dha hollësitë mbi rezultatet e raportit dhe njëkohësisht nuk tregoi nëse ura pritet të hapet gjatë kësaj jave edhe nëse në raport konstatohet se ura është e gatshme për qarkullimin e automjeteve.
Në ditën e publikimit të raportit bëhen një javë prej kur nisën testimet në Urën e Ibrit të cilën Qeveria synon ta hapë së shpejti pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, që ka kërkuar që për këtë çështje të diskutohet në Bruksel me Serbinë. Por, Qeveria e Kosovës po e kundërshton që për hapjen e urës së Ibrit të diskutohet me Serbinë.
Ndërkohë, gjatë ditës së hënë janë parë punëtorë të cilët kanë gëlqerosur pjesë të urës së Ibrit. Punimet janë kryer edhe në javën e kaluar dhe mjetet të rënda transporti gjithashtu kanë bërë testikin e qëndrueshmërisë së urës.