Një pjesa e madhe e komunës së Haraçinës tashmë disa ditë po përballet me mungesë të energjisë elektrike.
“Janë duke bërë shaka me ne, shkurt e shqip. A ua ka vështirësuar punën? Shumë, që një javë është prishur mishi, frigoriferët nuk punojnë. Me EVN-në a keni folur? Kemi fol, biles nuk dëgjojnë, nuk vijnë, nuk ka sigurim në Haraçinë dhe thonë nuk vijmë. Kemi nijet të organizojmë protestë dhe të bllokojmë autostradën, ose duhet të shkojmë përpara EVN-së dhe t’i bllokojmë që mos të punojnë as ata sikurse ne”, thonë banorët për TV21.
Edhe një qytetar tjetër i cili pohon se rregullisht paguan faturat, i tregoi hallet dhe pasojat që u ka sjellë mungesa e rrymës.
Kryetari i Komunës, Ridvan Ibrahimin thotë për TV21 se ka kërkuar nga organet kompetente që ta zgjidhin problemin, ndërsa ka kërkuar shpjegim nga EVN.
“Kompania e EVN-së të tregojë gatishmëri edhe për Haraçinën, le të bën punën e vet siç e ka të rregulluar me ligj, sepse qytetarët e Haraçinës, të gjithë ata njerëz që paguajnë vazhdimisht fatura, është e papranueshme që edhe një ditë të vetme të ngelin pa rrymë elektrike”, theksoi Ridvan Ibrahimi.
Për problemin me mungesën e energjisë elektrike nga kompania EVN thonë se fajet i kanë banorët e Haraçinës, sepse shfrytëzojnë rrymën në mënyrë ilegale dhe pastaj ka shumë defekte, e kur ndërhyjnë ekipet e EVN-së ata sulmohen.
“Në fshatin Haraçinë, vendasit ua ndalojnë qasjen ekipeve të Elektrodistribuimit dhe i pengojnë gjatë kryerjes së aktiviteteve teknike të përditshme si dhe sanim të defekteve. Për shkak të shfrytëzimit të vazhdueshëm ilegal të energjisë elektrike nga ana e banorëve, mbingarkohen trafostacionet dhe shkaktohen defekte të mëdha. Përderisa nuk ka kushte për punë dhe funksionim normal për shkak të arsyeve të lartpërmendura, nuk do të ketë mundësi për sanim të defekteve”, thonë nga EVN Elektrodistribuimi./TV21