Haradinaj kundër ndalimit të dasmave: Pse mos me u mbajtë?

0

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke folur për situatën me koronavirusi në Kosovë, ka thënë se frikësohet nga ky virus.

Haradinaj ka thënë se është absurde të mos lejohet qarkullimi pas orës 22:30, pasi njerëzit automatikisht po detyrohen të mblidhen më tepër para kësaj ore.

“Pse mos mi lënë njerëzit me lëvizë me vetura pas orës 22:30, kujt ia përhap ai p.sh virusin?. Është mysafir e ka me shku në fshat, pse mos me udhëtu ai? S’ka kafe e restorante çelë, le të vazhdon. Disa ide të ndalesave janë bërë pa kalkulim. S’ka arsye me i ndalë njerëzit për qarkullim. Se po i detyron me dalë të gjithë para 22:30. Nëse dikush ka me shku në Dragash, duhet me u zgju në 4 për me shku”, ka thënë Haradinaj.

Gjithashtu ai tha se dasmat duhet të mbahen por me disa kushte.

“Unë jam për me u mbajtë dasmat. Isha në Vlorë krejt i ki të Kosovës, në Durrës i ki të Kosovës, janë në plazh njerëzit si në ditë të pazarit. Pse mos mi mbajtë ne dasmat, p.sh në një distancë, nëse është e paraparë 1 metër e gjysmë distanca, nëse ka dezinfektues. Kemi mundësi me shku pak më përpara, p.sh mi thënë pronarit të sallës së dasmave i ki këto kushte për mbajtje të dasmave. Kisha shku në bazë të idesë që shkollat me fillu, çerdhet po ashtu. E shoh ministrin Zemaj se është në kohë të vështirë, është kohë e vështirë edhe për udhëheqjen e Hotit, e duan me çdo kusht me mbajt gjendjen nën kontroll, por duhet krijuar ekipe të ekspertëve ekonomik për t’u marrë me këto çështje”, shtoi ai në Rtv Dukagjini.

“Unë shpresoj se shkojmë më tutje gradualisht, duke e liru jetën. Normal që i frikona virusit, për veti për nanën që unë e shoh çdo mëngjes. Pas çdo kontakti i laj duart me sapun, me çka të qëlllon, pastaj hezitoj me nejt shumë afër me shumë njerëz, nëse kam pas afërsi bëj dezinfektim, e përdori edhe maskën. Deri tash se kemi pas askush, por s’do të thotë që s’kemi me pas. Kjo është jo shumë e njohur, i ka disa specifika. Një polic që më përcjell mua gruaja e tij e ka pas dy javë, por ka disa ndodhi të çuditshme. Është më mirë me i thënë popullit, runu por mos u ndalni në jetë”, tha ai.