Shkruan: Sermet Sulejmani
Tregime satirike
(Sipas rrëfimit të Hashep Gazepit, që dikur ushtarë i mirë i UÇK_së dhe tani taksist)
Pjesa e parë
Ishte nata e së shtunës, ajo nata që edhe stacioni i policisë flet me vete e nuk mban më procesverbal. Qyteti i përhumbur ndriçohej vetëm nga reklamat e dritshme të lloto-basteve, farmaci-bareve dhe fast-foodeve me emra patriotiko – arabe ”Marash doner”, ”Tyrk doner”, ”Zejtinburne doner”,.
Një natë vikendi, tre pijanecë, të gjithë me kollare të shtrembër dhe me emra të shkurtuar, Cani, Lani dhe Dani, dolën nga një lokal afër tek lagja e ”Garnizon”, ku kishte pasur, sipas fjalëve të tyre, “seminar” me pije falas për degustatorët e qytetit të Kumanovës”.
U bënë ata të shtyhen me ne, e flisnin si gratë e lagjes, veç na jepnin llokume për të na mashtruar! – tha Dani, duke u përpjekur të mbante ekuilibrin me një gazetë të palosur që e përdorte si patericë që mos të rrëzohej.
Pije me stil, jo si ata evgjitët e komisionit! – thotë Lani, duke e ngatërruar taksistin me kamerierin.
Në atë orë të vonë, para ”Marash doner, përballë ”Garnizonit”, Hashep Gazepi, si taksist me përvojë 15-vjeçare po priste për klientë, po rrinte në makinë dhe si patriot që ishte, po dëgjonte me zë të lartë këngë patriotike: “Mos m’i prek kufijt”, në veturën e tij të vjetër e me gaz.
Hashep Gazepi i pa me bisht të syrit klientët që vinin si heronj që kishin fitur një betejë të madhe me rakinë.
”O, tha me vete, këta janë ata inspektorët e komunës që mbajnë fjalime për disiplinën fiskale e pastaj harrojnë ku i kanë xhaketat. E pra, siç më ka mësuar, ustai im, Daja Qazim, që mbante dy orë dore për të mos harruar asnjë mashtrim: “Pijaneci është si votuesi, i lumtur kur i duket që ka udhëtuar larg, edhe pse s’ka dalë kurrë kurrë më largë se në Shkup.”
Sapo klientët e tij ulën ”pjsët e poshtme të shpinës” në sedilje, Hashepi ndezi makinën, lëshoi një “vrrrr” të lehtë, ndërroi shpejtësitë (marshet), sikur ishte në garë reli, e më pas e fiku motorin dhe ofshau si të kishte bërë një itinerar 15 kilometra përmes rrugicave të Kumanovës.
Ndërkaq, të tre burrat u zhyten në sedilje si të ishin ministra që sapo janë ulur në karrigat e reja.
Cani: ”Vëlla, faleminderit! Sa mirë që e makinën me klimë, m’u bë gjumi sikur isha në shtrat me gruan e drejtorit!” E nxori portofolin dhe pa e parë fare, i dha Hashepit një kartëvizitë dhe një 20-she euro. ”Këto i ke për vozitjen e rehatshme!” – tha.
Lani: ”Uaaa, çfarë udhëtimi fantastik! Sa herë udhëtoj me ty, më duket sikur e kuptoj më mirë metaforën e breshkës!” – dhe ia la një dymijëshe tek timoni.
Dani, më rebel dhe me sy që i shihnin si radar i prishur:
”O vëlla! – tha dhe me një grusht të fortë i ra taksistit në surat, por më shumë për ta stabilizuar veten që mezi mbahej në këmbë.
Hashepi u step dhe ngriti vetullat:
– Ç’pate mo burrë?
Dani mezi qëndronte në këmbë, por fjalët i kishte si të një analisti politik në TV DUGAGJINI:
– Ke… ke… ke… kujdes tjetër herë, mo! Mos… mos vozit kaq shpejt, se de… de… desh më mbyte!
– Po unë një kohë kam qenë shoferi i Ramushit, s’e ke lexu te lajmet që atë kohë ma pat hequr patentën ai? – i tha Hashepi duke bërë shaka, por klienti nuk kuptoi asgjë.
– Ramë apo Ramush, hiç nuk ka rëndësi. Ti mos na bëj formula të fizikës me frenat, se unë s’jam astronaut! Unë jam zyrtar shteti. Motre vesh, ”mora”- thuaj!
Të tre dolën nga makina sikur kishin mbërritur në shtëpi, pa e ditur që s’kishin lëvizur as 10 metra.
Hashepi ndezi sërish motorin, fërkoi duart dhe tha me vete:
O Zot, më jep klientë të tillë sa më shpesh të jetë e mundur, se pa ta shpejtë do t’më duhet të ndërroj profesion!