“Hashim Thaçi sabotoi Gjermaninë, duke i bërë tradhti Kosovës!”

0

Njohësi i çështjeve politike Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Gjermania dhe Merkel ka qenë e qartë që nga dita e parë dhe e ka parë që tashmë dialogu ka devijuar dhe nuk është dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja shteteve.

“Gjermania dhe Kancelarja Gjermane Merkel ka qenë e qartë që nga dita e parë. Në mungesë të lidershipit dhe konsensusit përbrenda BE-së dhe në procesin e BREXIT Gjermania ka parë se në fakt dialogu Prishtinë-Beograd ka devijuar plotësisht dhe nuk është dialog i normalizimit të marrëdhënieve por është përdorur për pazare”, ka vlerësuar Abazi.

Sipas tij, gjermanët e kanë parë që Thaçi nuk ka përkrahje për ndryshim të territoreve.“Thaçi ka provuar me çdo kusht të tejkalojë Gjermaninë duke bërë të pamundura investimet gjermane në Kosovë, skandalin me pjesëtarët e BND-së sepse e ka pasur të qartë që gjermanët nuk do të lejojnë lojë me kufijtë. Thaçi gjithashtu ka sabotuar edhe procesin e Berlinit që ka qenë mekanizmi i integrimeve Evropiane. Gjermanët gjithashtu e kanë parë që Thaçi nuk ka asnjë përkrahje për atë që është duke bërë dhe veprimet për ndryshime të territoreve, lojërat me Preshevën në momentin e fundit kanë rrezikuar sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan”, është shprehur Abazi.

Ai mendon se në Berlin do të paraqitet se si duhet të ecet në integrimet evropiane.

“Jam shumë i bindur që Thaçi do të provojë të bishtnojë edhe takimin në Berlin por hapësira manovruese për të është shumë e limituar. Në Berlin do të paraqitet qartazi rruga se si duhet ecur në integrimet evropiane për rajonin dhe kjo gjë nuk ka alternativë”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.