Hej, ti miku! të lutem! Kasabasë sime mos ia vën emrin e Kandaharit!

Nga Fadil LUSHI

.., hej, ti dosti im, ti që kohë më parë ashtu vullnetshëm, ndërrove vendbanimin, nëse do mëtosh ta lexosh Historinë e kasabasë së katragjyshit tim, të lutem mos e shtrembëro.., aman, mos e qorto shehërin tim, mos e godit shehërin tim, të lus, mos e shaj kasabanë time.., të lus, mos ma përgojo kasabanë time.., të lus për ALLAH, mos e nëpërkëmb të kaluarën dhe të tashmen e kasabasë sime.., pavarësisht se katundi yt “është më i bukur se shehëri im!”.., aman, mos ia ngjit bishtin e lugës, pavarësisht se vendi ku ke lindur “është më i bukur, më i ngrohtë dhe më human se qyteti im!” Ti dosti im!Të bëj rixha, mos ia hedh pështymën kalldrëmeve me breza të kasabasë sime, pavarësisht siç duken a si janë ato.., pavarësisht se katundi a edhe shehëri yt ku ke lindur, “është më i bukur dhe më legjendar se Tetova ime dhe e yte!” Ti miku im! Nëse ha bukën e Tetovës, nëse fëmijët e tu i arsimon në shkollat dhe Universitetin e Tetovës.., nëse ke hise në Tetovë, të lutem, më thuaj pse e shkreton hisenë tënde! Ti miku ynë! Nëse me të vërtetë, Tetova (kështu si është), të duket si Kandahari (respekt për qytetarët e Kandaharit), atëherë pse nuk kthehesh në vendlindjen tënde të bukur, të ngrohtë dhe humane, pse nuk i del zot vendlindjes, pse nuk ma lavdëron katundin dhe katundarin prej fisniku.., pse gjithë kjo heshtje “tate” prej varri!