Nga njëra anë me kujdes ndaj gropave që të mos dëmtojnë makinat, nga ana tjetër rreziku nga treni. Banorët me frikë e kujdes të shtuar e kalojnë hekurudhën që ndodhet në fshatin Çerkez të Kumanovës.
Qytetarët kërkojnë që kjo rrugë të sanohet sa më shpejtë, të vendosen edhe një trau dhe sinjalistika të punojë pa ndërprerë.
“Tepër e rrezikshme me tregu realitetin, për arsye se ku të shkosh në botë, e dimë se sidomos hekurudha duhet të jetë e rregulluar që të kalohet sa më shpejtë rreziku, kurse këtu tek ne duhet të ndalësh komplet veturën, pasi me shpejtësi me hy, menjëherë të mjeshtri duhet të shkosh. Rreziku është i madh, kur do të japin zgjidhje nuk e di, nuk është sot kjo, moti është ky problem”, tha një qytetar.
“Tepër është rrezik, nuk e di çfarë të them, kjo është dashur të bëhet para 20 vitesh, i kanë marrë paratë kryesia, nuk kanë ndërtuar asgjë, me të vërtetë ka pas aksidente shumë në këtë rrugë”, shtoi një tjetër qytetar.
“ Shumë e rrezikshme është, shumë njerëz kanë humbur këtu,duhet të vendoset rampë, vjen treni duhet të ndalesh, e jo ti futesh aty, të fiket vetura dhe shkon”, theksoi një qytetar.
“Shteti duhet të ketë përgjegjësinë e kësaj hekurudhe, si e kalojmë me rreziqe, e marrim përgjegjësinë vet dhe e kalojmë, prej autoriteteve kërkojmë që ta rregullojnë, të vendosin, semafor ose shenjë që të hapet dhe mbyllet”, tha një qytetar.
“Shekulli 21 me mbet kështu gropa, dalin ndonjëherë mundohen riparojnë, por siç janë në Llopat e në Vakcincë të rregulluara, kjo është rrugë kryesore dhe e kanë lanë anash, nuk e di kjo është e pakuptueshme, shkatërrohen veturat, shkatërrohen, nuk e di. Domethënë nuk është në rregull”, shtoi një qytetar.
Ky aks që ndryshe njihet si rruga e vjetër për në Shkup ishte meremetuar para disa viteve, por vendkalimi që kryqëzon rrugën me hekurudhën nuk ishte prekur. Pavarësisht se në kuadër të rikostruimit të hekurudhës Kumanovë-Veles ishte paraparë rregullimi i këtij kalimi, Ndërmarrja Publike Hekurudhat e Maqedonisë ndër vite zvarrit projektin. Të pyetur pse nuk është rregulluar ky vendkalim, deri sot nuk morëm përgjigje. Viteve të fundit janë regjistruar disa aksidente mes veturave dhe trenit që kalon pa sinjalistikën e duhur, por për fat të mirë pa pasoja në njerëz./Alsat.mk