Shkruan: Muhamer Pajaziti
Kur vijnë mërgimtarët, fillon jeta në Maqedoninë e Veriut. Qytetet e zbrazura dhe të heshtura ngjallen për një kohë të shkurtër. Gëzohen nëna, babai dhe e gjithë familja, gëzohen edhe tregtarët dhe të gjithë sipërmarrësit… Me mërgimtarët fillojnë dasmat dhe ahengjet, muzika dhe daullet i bashkojnë familjet, miqtë dhe dashamirët.
Falë mërgimtarëve, në muajt e verës dhe të dimrit, Maqedonia e Veriut duket si një vend turistik: kafenetë, restorantet, sheshet dhe shetitoret përplot me njerëz. Vetura të bukura, veshje me stil dhe të rinj e të reja që shpesh dalin edhe për të krijuar shoqëri të re.
Miliona euro shpenzohen gjatë këtyre dy muajve nga mërgimtarët – heronjë të vërtetë – të cilët, ndonëse mund të zgjedhin pushime në destinacione luksoze, zgjedhin vendlindjen. Ata nuk harrojnë rrënjët, familjen, farefisin, dhe mbajnë gjallë një lidhje shpirtërore që nuk blihet me para. Kjo është një vlerë që nuk mund të mohohet dhe shpresojmë të trashëgohet edhe nga brezat e rinj.
Por e keqja është tjetërkund: shteti dhe politikanët e korruptuar i zhvatin këta njerëz përmes taksave, por nuk investojnë asgjë për të përmirësuar jetën në vend. Asnjë trajtim dinjitoz për mërgimtarët që e mbajnë gjallë ekonominë e vendit.
Dhe kur ikin… gjithçka zbehet. Vdes atmosfera, zbehet gjallëria. Mbetet vetëm qetësia e rëndë. Të moshuarit ngelen me zemra të thyera, me mendjen dhe shpirtin tek fëmijët e tyre, me shpresën se do t’i shohin sërish për pushimet dimërore apo pranverore.
Faleminderit, mërgimtarë – që po e mbani gjallë këtë vend të lodhur, të harruar, të abuzuar nga horrat dhe batakçinjtë që e kanë kapur për fyti.