Propozimi për ndryshime kushtetuese me prapaveprim u hodh poshtë. Këtë e tha qartë presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e cila në emisionin “Uin-uin” u shpreh se kryetari i Këshillit të BE, Antonio Koshta e ka përshëndetur këtë propozim megjithatë gjatë vizitës së tij në Sofje ka marrë përgjigje negative nga autoritetet bullgare.
“Thotë se është i përpiluar shumë mirë megjithatë nuk e pranon Bullgaria… është përpjekur ta prezantojë. Pra, nuk e pranuan për shkak të konsensusit, edhe pse shumë nga vendet anëtare e kuptojnë, nuk mund të kalojë”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Pas kësaj, shefi i diplomacisë, Timço Mucunski siguroi se qeveria po punon për anëtarësim të plotfuqishëm në Union dhe vazhdon në kërkimin e një zgjidhjeje të denjë, racionale dhe të pranueshme për të gjithë.
“A po punojmë për të gjetur një zgjidhje? Gjithmonë do të ketë dialog dhe gjithmonë do të punojmë, por do të përsëris diçka që e kam thënë shumë herë – jo një zgjidhje me çdo kusht dhe një zgjidhje që do të jetë rrezik dhe pengesë shtesë, si kjo zgjidhje në vitin 2022, e cila tani po dëshmohet në praktikë si një zgjidhje që krijon probleme shtesë”, shtoi Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm.
Ministrja e Jashtme austriake Beate Majnl Rajzinger, e cila është për vizitë në Shkup, tha se Unioni nuk duhet të vendosë pengesë të re, por shtoi se ajo që është rënë dakord tashmë duhet të zbatohet.
“Në 2022 u arrit kompromis dhe më duket se mund të ketë mendime të ndryshme nëse ky kompromis është i mirë apo jo, por ky është fakt, një fakt që parasheh hapa të mëtutjeshëm për Maqedoni”, tha Beate Majnl Rajzinger, Ministre e Jashtme e Austrisë.
Antonio Koshta paraprakisht në qeveri në praninë e kryeministrit Hristijan Mickoski theksoi se nuk ka plan B dhe nuk ka hapësirë për negociata të reja.