Mobilje, dyshekë, sanitari, material ndërtimi e çka jo tjetër. Këto janë pamjet thuajse në tërë territorin e Çairit, aty ku ka të vendosur kontejnerë.
Këto mbeturina, nuk qëndrojnë këtu me ditë, por me javë të tëra.
Pyetëm kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiu, se pse nuk po mblidhen këto mbeturina. Ai gishtin e drejton kah Qyteti i Shkupit dhe Higjienën Komunale.
“Grumbullimin e mbeturinave e bënë Higjiena Komunale dhe më vjen shumë keq që tek kontejnerët çdo herë kemi një pasqyrë të zymtë. Kjo është shumë shqetësuese për shkak se mund ta rrezikojë shëndetin e çdo qytetari. Nga kompania në fjalë, janë munduar të dalin këto ditë me intensitet pak më të madh por nga punëtorët dhe udhëheqësit që janë për Çairin, marrë informata se kanë mungesë të mekanizmit për ta grumbulluar këtë dhe arsyeja nuk e di si të shpjegohet”, tha Visar Ganiu.
Ganiu informoi se në Higjienën Komunale e kanë shqyrtuar mundësinë që të tërheqin nga funksionimi njërin prej dy kamionëve të cilët qarkullojnë në Çair. Për këtë, komuna është e detyruar që të lidhë kontratë me ndonjë kompani tjetër të licencuar.
“Për këtë, ne jemi duke e shqyrtuar që me rebalancin e ardhshëm të komunës, edhe pse qytetarët paguajnë taksa, dhe ajo taksë shkon në qytetin e Shkupit, shkon te ajo ndërmarrje por qytetarët nuk e marrin shërbimin e duhur. Kështu që ne me rebalanc të buxhetit jemi duke e shikuar të angazhojmë ndonjë kompani tjetër e cila është e licencuar, dhe si çdo herë, komuna e Çairit nga dy herë duhet të njëjtat shërbime t’i paguajë”, deklaroi Ganiu.
Gjendja në nivel nuk është as me parqet e kësaj komune. Parqet nuk mirëmbahen si duhet, veçanërisht parqet mes ndërtesave në rrugën Arhiepiskop Dositej.
Kryetari i komunës Ganiu, thotë se edhe për këto është kompetente qyteti i Shkupit por nga atje nuk u përgjigjen kërkesave për mirëmbajtje.
“Qyteti i Shkupit e ka mirëmbajtjen, e ka ujitjen, e ka derisa ai park të marrë pasqyrën e vet, pamjen e vet. Beso unë u lajmërohem, ato tallen. Nga komuna ne i lusim që ata të dalin ta ujitin për shkak se kanë filluar të thahen pemët, ato thonë jo nuk duhet ditën, duhet natën, natën nuk e lëshojnë”, tha ai.
E për të mësuar arsyen pse mirëmbajtja e higjienës dhe e parqeve në Çair nuk është në nivel, dërguam pyetje deri te Ndërmarjet Publike “Higjiena Komunale” dhe “Parqe dhe Gjelbërime”. Megjithatë, asnjëra prej tyre edhe pas 24 orëve nuk na kthyen përgjigje. Nga “Higjiena Komunale” dje përmes një komunikate për media njoftuan vetëm se kanë larguar mbi 150 metër kub mbeturina, përfshirë këtu edhe në komunën e Çairit. Nga atje thonë gjithashtu se janë ngritur edhe pesë procesverbale për qytetarët të cilët janë kapur duke hedhur mbetje të vëllimshme.