Në vijim të operacionit të koduar policor “Fijet”, në 24 orët e fundit policia bën të ditur se ka çmontuar dhe sekuestruar dhjetëra kamera të tjera që ishin vendosur në kundërshtim me ligjin, në disa qarqe të Shqipërisë.
Njoftohet se, në qarkun Shkodër, në vijim të fazës së dytë, Policia ka çmontuar 20 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Deri tani, në këtë qark janë sekuestruar në total 79 kamera.
Në qarkun Lezhë, gjatë fazës së njëmbëdhjetë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë. Për kamerat e instaluara në Zejmen, Lezhë, është nisur hetimi për 1 shtetase.
Kurse, në qarkun Dibër, në vijim të fazës së shtatë të këtij plani operacional, në qytetin e Peshkopisë, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 5 kamera. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, janë vënë 3 persona. Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar dhe sekuestruar në total 6 kamera dhe janë iniciuar hetime të thelluara për 4 qytetarë.