Hirësia e tij GoogleTranslate-i!

Picture of Ina Online
Ina Online

04/11/2023

Përkthyesit në administratë duhet ta përdorin GoogleTranslate-in, por mbështetja në të në mënyrë absolute, do të ishte gabim, sepse teknika është teknikë dhe nuk i kapë përherë gjithë finesat kuptimore që i kap njeriu, prandaj duhet kujdes dhe vëmendje gjatë përkthimeve të ligjeve e dokumenteve zyrtare që nuk guxojnë të dallohen nga origjinali

Nga Daut DAUTI

  1. Në gazetari e tregojnë një shembull ilustrativ për storiet hulumtuese. I kanë dhënë një gazetari detyrë të shohë pse nuk punon drita e një shtylle të rrugës dhe duke gjurmuar, zbulon skandalin e madh korruptiv që çon deri në komunë. Seç më duket se një rast i pasherr i lapsusit te një lajm, të na zbulojë gjithë zinxhirin e keqshkruarjes së gjuhës shqipe kur përkthejmë nga gjuhët e huaja. Lajmi ishte ky:

 “1 nëntori ( e mërkurë) është ditë jo pune për qytetarët e besimit katolik në Maqedoni. MPPS njofton se nesër shënohet Festa e të gjithë shenjtorëve. “Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njofton se në përputhje me Ligjin për Festat e Republikës së Moldavisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Moldavisë” nr. 21/98 dhe 18/07), 1 nëntor 2023 (e mërkurë), Dita e të Gjithë Shenjtorëve është ditë jo pune për qytetarët e besimit katolik në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e MPPS-së”.

Advertisements

 

Gjëja e pare është habia! Ç’lidhje ka një festë shtetërore në bazë të një ligji botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Moldavisë, e të vlejë për katolikët e Maqedonisë!? Po të ishte kështu, lajmin do të duhej ta jepte ambasada e jo ministria jonë. Sepse një situatë e tillë e supozuar  është çështje “ekstraterritorialiteti”?

Tek e diskutuam me një koleg këtë lëshim që shihet prej aeroplani se është lapsus, shtruam dilemën ku është bërë gabimi? Erdhëm në përfundim se gabimin mund ta ketë bërë vetëm GoogleTranslate-ibashkë me  pakujdesinë njerëzore. Dhe ai është bërë kështu: ka ardhur në filan redaksie kumtesa e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në maqedonishte dhe për ta nxjerrë sa më parë edhe në gjuhën shqipe(pse ka pasur ka pasur nevojë për nguti?), është futur teksti në GoogleTranslate dhe hop! në  shqip Maqedonia na bëhet Moldavi! Kushedi si i ka ardhurGooglit, edhe teknika gabon…! Ndonjëherë Google-i edhe bën ndonjë gabim, nuk e kapë finesën kuptimore, ose madje dhe të gabojë një emër të tërë shteti dhe ta zëvendësojë me tjetër që nis me të njëjtën shkronjë. Pastaj faktori njeri, s’e ka vërejtur fare. E ka lëshuar në portal, dhe të tjerët e kanë marrë të gatshme. Kur diçka merr nga një agjenci, sigurisht askush nuk e pret një gabim të tillë…dhe, kështu, në të gjithë portalet pa përjashtim, jepet lajmi se katolikët e Maqedonisë, festojnë ditën e shenjtorëve bazë të Ligjit të festave të Moldavisë!

I fundit në këtë zinxhir, është edhe i ashtuquajturi robot, të cilin disa portale janë të lidhur dhe i cili me automatizëm merr prej dikah dhe i boton, pa u lexuar fare nga redaktori.

Ja, pra, një lajm i shkurtër çka mund të na zbuloj!

Por, nëse prej këtij gabimi nuk ka zarar askush, pos që ta konstatojmë se “ndodhin këso gjërash”, është çështja më e thellë, ajo e përdorimit të gjuhës shqipe në administratë, ku ka qindra ligje e dokumente që duhet përkthyer dhe që duhet të jenë të sakta. GoogleTranslate-i është një mjet elektronik që të ndihmon shumë, por i cili ndonjëherë gulfat kreativitetin e përkthyesit dhe për të qenë edhe më keq, i pasivizion ata, të cilët në dinamikën e punës, nuk përqendrohen sa duhet për ta lexuar tekstin edhe një herë apo më shumë herë, sipas nevojës, dhe mund t’u përvidhen “gabime materiale”, që ia ndërrojnë krejtësisht kuptimin e origjinalit.

Paramendoni nëse e futni në Google një shprehje si kjo: “Ja остави косата на страна за да се одмори“  të ju dale përkthimi siç e provova unë: “lërini flokët mënjanë për të pushuar”. E fjala ishte për “kosën” që kosit barin, e jo për flokët!

Sivjet në pranverë pata rast të flas para një grupi të përkthyesve të posa pranuar në administratë dhe pikërisht këtë ua sugjerova nga përvoja: përdorni GoogleTranslate-in, por lexojeni pastaj tekstin me kujdes. Ai u ndihmon për të kryer punën sa më shpejtë, por është gabim nëse i besoni në mënyrë absolute. Sepse teknika është teknikë, nuk i kapë gjithë finesat që i kap njeriu.

Mirë është që Agjencia e Zbatimit të Gjuhës ka qe dy vjet që po i trajnon përkthyesit dhe lektorët e administratës, por kjo nuk mjafton që cilësia e përkthimit të rritet me vetëm disa orë e disa ditë ligjërata. Duhet në vetë institucionet ku punojnë të kenë mbikëqyrje profesionale(lektorë me përvojë), të cilët edhe do t’i udhëzonin, por dhe do ta kenë nën kontroll çdo tekst për nevoja zyrtare.

Kuptohet,  pjesa e përgjegjësisë u bie para së gjithash mësuesve që në vitet e para të shkollimit për t’i orientuar drejtë dhe për t’ua mbjellë në zemër e tru nxënësve përkushtimin ndaj gjuhës.  Në kohën që po e jetojmë, sfidat për gjuhën janë më të mëdha për shkak të ndikimit të anglishtes, e cila te fëmijët e gjeneratave të reja, po ia merr shqipes amtare primatin  gjuhës së parë! Ndikimi nga anglishtja, përkthimet nga maqedonishtja, përdorimi i GoogleTranslate-it dhe shkujdesja ose më saktë, kryerja e punës shkel ‘e shko, përbëjnë një sfidë për cilësinë e gjuhës shqipe, si të shkruar, ashtu  dhe të folur.

 

  1. Misioni i Dritan Abazoviqit… mori fund. Pas një vit e gjysmëkryeministrim në Mal të Zi, vepra e tij iku në histori. Ai bëri të pabërën, të pabesueshmen. Mali i Zi më nuk është si më parë. Mali i Zi nuk është më “pronë” e Milo Gjukanoviqit, presidentit dhe kryeministrit më jetëgjatë në Ballkan,kreatorit të pavarësisë së Malit të Zi,por dhe të “sovranit” i cili kishte gjithçka në dorë, e së këndejmi, emrin e tij pos me të mirat që i solli vendit, e lidhnin dhe me gjithçka negative: përfitime nga pushteti,kontrabandë, korrupsion, krim i organizuar… Në luftën e këtyre anomalive të tranzicionit, Dritan Abazoviqi shaloi atin dhe “ia preu kokën” “Bajlozit”. Misioni u krye vërtet me sukses.

Por, një fjalë e kohës moderne ka mbetur: “operacioni(misioni i Abazoviqit, pra!) me sukses, pacienti i vdekur!”.

Sepse, për ta rrëzuar nga pushteti Gjukanoviqin, u desh një bashkëpunim midis tij dhe forcave proserbe. “Edhe me djallin nëse ka nevojë do të bashkëpunoj!”, është një fjalë! Ndaj dhe ky bashkëpunoi me forcat më ekstreme antimalazeze! Qëllimi nuk zgjedh mjete, ka shkruar Makiaveli. Në një pjesë të mandatit, Abazoviqi bëri një lëvizje taktike dhe iu kthye sërish Gjukanoviqit, me ndihmën e të cilit dhe u bë kryeministër(i pari shqiptar, në një shtet jo shqiptar), por këtë idil nuk e zgjati, për shkak se ai bëri një marrëveshje me Kishën Serbe, diçka që ishte në kundërshtim me interesat nacionale malazeze. Me gjithë mbrojtjen e kësaj marrëveshjeje, nuk mund t’i iket faktit se kjo dhe vetë koketimi me forcat që mohojnë qenësinë shtetërore të Malit të Zi, bëri që ato të vijnë duke u forcuar, dhe rezultati është ky i fundit, kur këto forca, jo vetëm pro Beogradit, por dhe anti-BE e anti-NATO e anti Kosovë, e morën pushtetin. E Abazoviqi, pas të gjithash, përsëri atje ku e meriton një politikan i cili nuk di t’i peshojë gjërat,në opozitë! Si limon i shtrydhur.

Kjo është jo që mund të thuhet me pak fjalë. Se çfarë dobish ose dëmesh i ka sjellë Malit të Zi me këto koketime e akrobacione, do të tregojë koha.  Për shqiptarinë, le të themi se ua ngrohi zemrat që u bë një shqiptar kryeministër i parë në një shtet joshqiptar, se sa qe në pushtet për tri vite me radhë, nuk la lëvizje të forcave proserbe kundrejt Kosovës dhe përcaktimeve gjeostrategjike, por vetë faktorizimi i këtyre forcave kur ai më nuk është në lojë, misionin e tij e bën me shumë pikëpyetje.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

TË FUNDIT

LD-së i bashkohen struktura të BDI në Saraj, mes tyre ish-zëdhënësi i Qeverisë

Ambasadori Walker bashkë me dy gazetarët Beqir Sina dhe Ilir Ikonomi nderohen nga Bashkia e Kavajës

Pse Albin Kurti është i pakrahasushëm me liderët e veneve fqinje?

VIDEO/ Gjesti iu kthehet banorëve të BBV4: Eglin e kam dashnore

OEMVP ulë në tryezë biznesin dhe Qeverinë, çfarë ishte në fokusin e takimit

“Një person i tretë prishi martesën e Liridona Ademajt dhe Naim Murselit”/ Curi: Pas këtyre deklaratave, kam marrë kërcënime…!

ME TE LEXUARA

1
LD-së i bashkohen struktura të BDI në Saraj, mes tyre ish-zëdhënësi i Qeverisë
1
Ambasadori Walker bashkë me dy gazetarët Beqir Sina dhe Ilir Ikonomi nderohen nga Bashkia e Kavajës
1
Pse Albin Kurti është i pakrahasushëm me liderët e veneve fqinje?
1
VIDEO/ Gjesti iu kthehet banorëve të BBV4: Eglin e kam dashnore
1
OEMVP ulë në tryezë biznesin dhe Qeverinë, çfarë ishte në fokusin e takimit

LEXO MË SHUMË

LD-së i bashkohen struktura të BDI në Saraj, mes tyre ish-zëdhënësi i Qeverisë

Ambasadori Walker bashkë me dy gazetarët Beqir Sina dhe Ilir Ikonomi nderohen nga Bashkia e Kavajës

Pse Albin Kurti është i pakrahasushëm me liderët e veneve fqinje?

VIDEO/ Gjesti iu kthehet banorëve të BBV4: Eglin e kam dashnore

OEMVP ulë në tryezë biznesin dhe Qeverinë, çfarë ishte në fokusin e takimit

“Një person i tretë prishi martesën e Liridona Ademajt dhe Naim Murselit”/ Curi: Pas këtyre deklaratave, kam marrë kërcënime…!