Historia e dashurisë në anije/ Sekreti i familjes së Anthony Albanese, kryeministrit të ri të Australisë

Mediet ndërkombëtare kanë publikuar të shkuarën e Anthony Albanese, që pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Australisë, një histori sa e veçantë, aq dhe e pabesueshme.

Deri në moshën 14-vjeçare, Anthony Albanese nuk e dinte sekretin e familjes së tij. Mamaja i kishte rrëfyer se babai me origjinë italiane, Carlo Albanese, ka ndërruar jetë në një aksident rrugor.

Por kur Anthony hyri në periudhën e adoleshencës, e ëma vendosi t’i tregojë të vërtetë, se në fakt ajo nuk ishte martuar me të atin, por me të kishte pasur një histori të shkurtër dashurie, gjatë një udhëtimi të 15 viteve më parë…

Në vitin 1962, pasi kurseu shumë për biletën e saj, (e cila në 1962 kushtonte 88 deri në 193 paund), Maryanne lundroi për në Londër me anijen e linjës SITMAR Fairsky.

Vëllai i saj mbante një koncert në anije, ndërkohë që në bord ajo “i vuri syrin” një burri të ri të pashëm me emrin Carlo Albanese. Mes tyre nisi një romancë që vazhdoi dhe pasi anija u ankorua në Southampton por kjo aventurë e dy të rinjve zgjati aq sa udhëtimi.

Muaj më vonë, Maryanne zbuloi se ishte shtatzënë, por Carlo ishte fejuar dhe ajo nuk mund të bënte asgjë. Për “t’u mbrojtur” nga parimet konservatore të asaj kohe, ajo trilloi një histori sikur ishte martuar me babanë italian të foshnjës së saj, që më pas kishte vdekur në aksident dhe vendosi të sjellë në jetë djalin, pavarësisht sugjerimeve për ta abortuar. Anthony lindi më 2 mars 1963.

Nënë e bir u vendosën në Camperdown të ​​Sidneyt.

“Donin të më jepnin për birësim, por ajo këmbënguli shumë. Mamaja më rriti me tre besime të mëdha: Kishën Katolike, Partinë Laburiste dhe klubin e futbollit të Ligës së Rugbit në Sidnein e Jugut”, kujton Anthony kur tregoi historinë e tij për mediet vendase.

Anthony nuk e kërkoi babanë kur mësoi për të në moshën 14-vjeçare, pasi siç thotë, do të ishte mungesë respekti për nënën e tij. Por pasi Maryanne Albanese vdiq në vitin 2002, ai mendoi se ishte koha për të gjetur gjyshin e Nathan-it (djalit të tij).
Ai kishte vetëm një foto bardh e zi të prindërve, të shkrepur në anije, ndërsa dyshonte se i ati mund të ishte nga Napoli. Kishte shumë pak të dhëna dhe identifikimi i të atit dukej i pamundur.

“Ishte e enjte, 5 nëntor 2009“, kujton ai, “kur mora telefonatën se babi ishte gjetur“. Albanese, në kohë ministër i Infrastrukturës dhe Transportit kujton se do të drejtonte një takim të këshillit ministror, por nga tronditja, e vetmja gjë që kishte nevojë, ishte të qetësohej.

Gjatë të udhëtimit për në Itali gjashtë javë më vonë ku do të takonte Komisionerin Evropian për Transportin, Albanese kontaktoi një të afërm që punonte në Ambasadën Australiane në Romë për ta ndihmuar të hartonte një letër në italisht. Pak muaj më pas, ë ia doli të takojë babanë.
Dera u hap, hyra brenda dhe e përqafova”, tha Albanese i përlotur. “Ishte një moment shumë prekës. Mësova se kisha një vëlla dhe një motër. Takimi zgjati dy ose tre orë. U ulëm atje dhe qeshnim dhe qanim dhe … ishte tepër emocionuese”, rrëfeu Albanese për ABC TV.

Carlo Albanese vdiq në janar 2014, ‘ishte i lumtur që e gjetëm njëri-tjetrin’, siç thotë Anthony.

Albanese mund të jetë kryeministri i ri i Australisë. Australianët po votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre të rinj për parlament, ku mund të kthejnë në pushtet opozitën laburiste pas nëntë vitesh qeverisje konservatore. Gara është e ngushtë, megjithatë sondazhet i japin një epërsi të lehtë kreut të Partisë Laburiste në opozitë, Anthony Albanese, i cili i bëri thirrje votuesve t’i japin një mundësi për të drejtuar vendin.

Burimi: Daily Mail