Historia e Deli Agushit në Bilaç dhe objektet e trashëgimisë kulturore

0

Bilaçi i komunës së Bujanocit  e ka një histori interesante, meqë gjatë Perandorisë osmane këtu ekzistonte një garnizon i ushtrisë perandorake, ndërkohë që ishte edhe qendër administrative, andaj në Bilaç – siç thuhet nga shkrime të vjetra dhe transmetimet gojore – kishte pasur mbi 100 punëtori të ndryshme zejtare. Është i njohur edhe Hani i Bilaçit, të cilin e përmend edhe shkrimtari Bora Stankoviq.

Përndryshe Bilaçi njihet edhe me Deli Agushin (fjala turke “deli” në shqip ka kuptimin i fuqishëm, trim, i guximshëm) një kaçak kryengritës gjatë periudhës 1860 – 65, për të cilin edhe sot e kësaj dite janë ruajtur këngët kushtuar atij si në gjuhën shqipe po ashtu edhe në atë serbe, ndërkohë që ai që moti është bërë edhe pjesë e folklorit ngase edhe në ditët tona njihet Vallja e Deli Agushit, e cila edhe pse tani më rrallë, megjithatë ende luhet në dasma dhe për ekzekutimin e të cilës duhet shkathtësi mbi mesatare e vallëzimit. Mirëpo ai do të kapet nga organet e atëhershme në vitin 1865 dhe do t’i dorëzohet pushtetit në Vrajë duke qenë i dënuar me varje, para Hamamit të Vrajës nga ana e Mithat Pashës, i cili nga Nishi, që ishte qendër e Sanxhakut, ishte dërguar enkas me detyrë për kapjen e Deli Agushit.

Në një kodrinë mbi Bilaç gjendet njëra prej strehimoreve të tija modeste, e cila mbanë emrin Shpella e Deli Agushit, transmetn Titulli.com.

Përndryshe hapësira ku ai qarkullonte ishte zona që shtrihej nga Bilaçi e deri në Pçinjë, përkatësisht kodrina e pyje të masivit të Rujanit. Gjithashtu afër burimit të rrjedhës së epërme të njërit krah të lumit të fshatit gjendet edhe Kroi i cili vizitohet për Hëdërlez dhe Shë Gjergj, duke iu drejtuar shenjtorëve dëshira të ndryshme, mirëpo kjo traditë në botën e internetit është shndërruar në një shëtitje të thjeshtë apo piknik.

Xhamia e vjetër në Bilaç është ndërtuar në vitin 1375 dhe paraqet xhaminë më të vjetër në këto anë të Ballkanit Perëndimor. Është sanuar në vitin 1885, e rindërtuar në vitin 1965/68 dhe është përmirësuar për herë të dytë në vitin 2007

Në hyrje të Bilaçit, në të djathtë të rrugës dhe lumit të fshatit, në një kodrinë të vogël gjendet kisha e sh. Markut. Kisha është ndërtuar në vitin 1926. Është objekt me një kupolë me bazë në formë të kryqit.

500 metra nga fshati Bogdanoc, në një ahishte shekullore, në lartësi mbidetare prej rreth 620 metrash, në malin Rujan, gjendet nëj kishë e vogël kushtuar shenjtorit Simeon Stollpnikut. Kisha është rindërtuar më 1895./Titulli.com/

Ky udhëzuesi është frut i një pune hulumtuese nga të rinjtë e komunave Bujanoc dhe Preshevë, të cilët në kuadër të projektit “(Ri)zbulimi i trashëgimisë lokale kulturore dhe fetare, edukim qytetar dhe interkultural i të rinjve” kanë grumbulluar të dhëna mbi monumentet e trashëgimisë kulturore të serbëve dhe shqiptarëve në jug të Serbisë.

Trashëgiminë kulturore të komunës së Bujanocit e përbëjnë lokalitetet arkeologjike, kishat, dy manastire, xhamitë dhe teqetë. Bujanoci e ka edhe një muze.