Historia e Luan Krasniqit, nga Kosova në legjendë të boksit botëror

Luan Krasniqi ishte rritur në Kosovë me shtatë vëllezër. Në vitin 1987 ai i ishte bashkuar babait të tij në Gjermani.

“Mendoja se Gjermania ishte ashtu siç e kisha parë në televizor, si Dallasi apo Dynastya”, kujton fillimisht ish-boksieri i njohur kosovar.

“Dhe më pas jemi vendosur me familjen në Rottweil”, kujton legjenda e boksit kosovar, i cili bëri karrierë të jashtëzakonshme në Gjermani.

 

Ai fillimisht punonte duke të shtunave në kompaninë në të cilën punonte babai i tij, një kompani makinash. Luani e kishte përfunduar shkollimin, që kishte të bënte me tregtinë dhe kishte punuar në një kompani ndërtimi.

 

“Në realitet, unë gjithmonë isha i lodhur për të shkuar në ushtrime”, kujton Krasniqi hapat e parë të tij në Gjermani.

 

Megjithatë, ai nuk e la anash boksin dhe shumë shpejt i shijoi rezultatet e para: në vitin 1996 në Olimpiadën e Atlantas e përfaqësoi Gjermaninë dhe e fitoi medaljen e bronztë.

 

Ndërkaq, më pas u bë kampion i Evropës dhe ishte shumë afër të shpallej edhe kampion bote.

 

Në vitin 2005 mund të bëhej boksieri i dytë gjerman në histori që mund të shpallej kampion bote pas Max Schmeling.

 

Mirëpo, në luftën vendimtare kundër Lemon Brewster në shtator të vitit 2005 humbi me nokaut teknik.

 

Me këtë rast edhe iu shua ëndrra për t’u bërë kampioni i parë shqiptar i botës.

 

Kurse, në vitin 2011, Krasniqi u pensionua nga boksi. Sidoqoftë, edhe pse nuk u bë kampion bote, karriera e tij e pasur nuk do të harrohet kurrë.

 

Luani ka ditur t’i gëzojë shpesh tifozët e zjarrtë shqiptarë të tij, por edhe ata gjermanë.

 

Dhe, Krasniqi e ka përsëritur shpesh se u është shumë mirënjohës gjermanëve për mundësinë që ia kanë dhënë dhe krejt shqiptarëve për mbështetjen e vazhdueshme.

 

Ndihmon fëmijët në nevojë

 

“Në realitet, nuk e kam dashur kurrë boksin”, shton Krasniqi sot, në një intervistë të realizuar me Achim Bogdahn në emisionin “Eins zu Eins. Der Talk”, duke zbuluar se më shumë do të preferonte të ishte dekatlet (lloj i atletikës me disa disiplina).

 

Ndërkaq, sot ai ndihmon në SOS Fshatin e Fëmijëve pasi është një njeri i vullnetit të mirë.

 

Pa dyshim, Luan Krasniqi konsiderohet si njëri prej boksierëve më të mëdhenj shqiptarë në histori. Ai është shembulli më i mirë i një sportisti./zeri/