Historiani i njohur Jusuf Buxhovi ligjëroi në Universitetin e Tetovës (FOTO)

0

Jusuf Buxhovi, shkrimtar dhe historian i njohur nga Republika e Kosovës, sot e vizitoi Universitetin e Tetovës. Ai, fillimisht u prit nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i shoqëruar nga dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, si dhe shefi i kabinetit të tij, Doc. Dr. Faton Shabani. Në këtë takim, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti e përgëzoi historianin nga Kosova për kontributin e vyer intelektual në shërbim të avancimit të proceseve të përgjithshme që zhvillohen në hapësirën gjithëkombëtare, për botimin e një sërë veprash me rëndësi për historiografinë shqiptare, me theks të veçantë veprën kapitale „Kosova“, të përfshirë në tetë vëllime. Rektori, e njoftoi Jusuf Buxhovin me të gjitha etapat e zhvillimit të Universitetit të Tetovës dhe veprimtarinë e begatshme arsimore-shkencore që realizohet në këtë institucion të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në vendin tonë. Në përmbyllje të takimit, Rektori i UT-së, studiuesit Jusuf Buxhovi i ndau një dhuratë me portretin e themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.