Holanda e deklasoi Maqedoninë

Holanda ka regjistruar fitore bindëse (3-0) ndaj Maqedonisë së Veriut në ndeshjen e fundit të fazës grupore të ‘Euro 2020’ që u zhvillua në Johan Cruijff ArenA.

Në minutat e para të ndeshjes, Ivan Trickovski e futi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje. Më vonë, një goditje e fuqishme e Aleksandar Trajkovskit u ndal në shtyllën e portës kundërshtare.

Nuk zgjati shumë dhe rezultati u zhbllokua. Golin e vetëm në fraksionin e parë e shënoi Memphis Depay (24’), pas asistimit nga Donyell Malen.

Georginio Wijnaldum e dyfishoi epërsinë në gjysmën e dytë (51’) nga afërsia, pas një asistimi të Depay.

Edhe goli i tretë i Tulipanëve erdhi nga dyshja e përmendur. Portieri Stole Dimitrievski mbrojti goditjen e Memphis, por aty ishte Wijnaldum për ta futur topin në rrjetë (58’).