Hoti i përgjigjet Thaçit dhe opozitës: Unë nuk kam frikë të ulem në tavolinën e dialogut

0

Kryeministri Avdullah Hoti po ballafaqohet me kritika teksa po raporton lidhur me marrëveshjen e arritur me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

Në një moment, ai i është drejtuar deputetit Rexhep Selimi me këtë fjali:

“Nëse ti Rexhë je ma patriot se unë, po tërhiqem se kjo është relative”, ka thënë Hoti.

***

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar Qeverinë aktuale duke thënë se e ka degraduar Kosovën më shumë se koha e UNMIK-ut.

Kusari Lila tha se delegacioni tanimë ka shkelur Kushtetutën gjatë bisedimeve.

“Ujmani nuk mund të jetë liqe që ndahet në mes dy shteteve por e kemi ndërtu, përfundi Ujmanit është toka dhe e kemi furnizu me ujë. Asnjëherë nuk ka qenë diskutim Ujmani. Kjo qeveri e ka degradu Kosovën më keq se në koha e UNIMIK-ut.

Cili është qëndrimi i delegacionit kosovar, ai nuk ka platformë, e kanë shkel edhe Kushtetutën. Nuk mundet Kosova të vazhdoj dhe të mbaj mbi vete edhe josinqeritetin, pasigurinë dhe mungesën totale të transparencën që as 40 vota nuk i ka.

Më e pakta që mund të bëni sot zotëri Hoti është të kërkoni falje për fjalët e juaja të thënë më 17 qershor:

Më falni se kom gabu e se kom dit çka kom ba e është ma mirë më shku në shtëpi, e ndoshta dëmi është ma i vogël për mu se për krejt Kosovën”, tha Kusari-Lila.

***

Dy javë pasi ka nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik me Serbinë, kryeministri Avdullah Hoti po raporton para të zgjedhurve të popullit. Kreu i qeverisë iu zotua deputetëve se në vazhdimësinë e dialogut me Serbinë integriteti territorial i Kosovës do të jetë i panegociueshëm, rendi kushtetues, e po ashtu edhe sistemi unitar i vendit. Hoti e vlerësoi lartë zotimet në Uashington duke i cilësuar si fitore të popullit të Kosovës dhe hapë i madh drejtë normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Derisa edhe theksoi se dialogu në Bruksel nuk është teknik, por politikë që ka qëllim njohjen reciproke. Ndërkohë shtoi se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të hapet në dialogun e Brukselit. Për këtë temë kryeministri tha se ka qenë i hapur dhe transparent, e për këtë kërkoi konsensus politikë nga gjitha grupet parlamentare.

Në seancën e sotme plenare, Hoti iu paraqiti parimet për dialogun deputetëve.

Hoti: Parimet për dialogun me Serbinë

“Integriteti territorial i Kosovës është i panegociushëm, e dyta organizimi kushtetues i Kosovës është i panegociushëm dhe sistemi unitar i Kosovës nuk mund të preket dhe diskutohet. Garantohet me Kushtetutë dhe e treta që marrëveshja do të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Mbi këto parime ne jemi duke zhvilluar procesin e dialogut dhe besojmë dhe është provuar në këto tre muaj se respektimi i këtyre parimeve në udhëheq drejtë në objektiva të qarta. Marrëveshja e paqes mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke, nuk ka me pas zgjidhje kreative për njohje reciproke, e dyta marrëveshja duhet të përmbajë detyrimin e BE-së për të përmbyllur njohjen e Kosovës nga 5 vendet që nuk e kanë njohur. E treta marrëveshja gjithashtu duhet të përmbajë dispozita që e shfuqizojnë rezolutën 1244 dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. E katërta hapet rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe hapja e perspektivës evropiane për Kosovën si çdo vend që aspiron integrimet euro-atlantike. Edhe e katërta, por jo nga rëndësia adresimi i të gjitha çështjeve të hapura të vendet pasi asnjë normalizim nuk mund të ndodh pa u vendosur drejtësia edhe për këto çështje të hapura do të përdoren konventat ndërkombëtare”, tha ai.

Hoti tha se janë krijuar rrethanat e reja për njohjen reciproke.

Hoti: Nuk ka dialog teknik

“Tash jemi në rrethana të reja, vlerësoj se tash jemi protagonistë që për herë të parë të arrijmë njohjen reciproke. Andaj mi bazën e parimeve dhe objektive pas gati 2 vitesh qeveria ka rifilluar dialogun me Serbinë. Por më lejoni të them shumë qartë se ky nuk është dialog teknik, por dialog për marrëveshje finale me njohje reciproke mes dy vendeve”, tha ai.

Derisa iu sqaroi deputetëve edhe marrëveshjen e Uashingtonit. Ai tha se është gabim të thuhet se kjo marrëveshje është e rrezikshëm.

Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit fitore e popullit të Kosovës

“Ky është një momentum i ri ndërkombëtar i marrëdhënieve ShBA-BE sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim të përmbyllet një herë e përgjithmonë kjo çështje. Por më lejoni të them se ky momentum nuk do të kishte prodhuar këtë marrëveshje të qeverisë së Kosovës pa treguar seriozitet dhe pragmatizëm mbi parime të qarta dhe kjo mbështetje e partnerëve për Kosovën nuk ka qenë e lehtë të arrihet pas lëndimeve të raporteve që kanë ndodhur vitet e fundit… kjo marrëveshje është fitore e madhe e popullit të Kosovës. Kjo marrëveshje është hap i madh drejtë normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Investimet e mëdha dhe sjellja e gazit në Kosovë do të jenë një infuzion për zhvillimin e ekonomisë të vendit tonë në vitet që vijnë…tash unë e kam parasysh se kjo marrëveshje nuk është perfektë por nuk është e dëmshme dhe rrezikshme për Kosovën. Përkundrazi e ka fuqizuar subjektivitetin shtetëror të Kosovës dhe e kthen Kosovën”, tha ai.

Kreu i qeverisë foli edhe për asociacionit e komunave serbe, ku theksoi se kjo temë nuk do të hapet në Bruksel.

Hoti: Tema e Asociacionit nuk hapet

“Lidhur me temën e asociacionit, qëndrimi jonë është se kjo temë nuk hapet në dialog. Kjo temë nuk hapet pasi ka një marrëveshje të arritur në vitin 2013 që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Përtej kësaj ekziston marrëveshja e parimeve për asociacionit dhe aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Për të gjitha temat në Bruksel vlen parimi se asgjë nuk dakordohemi nëse nuk dakordohemi për marrëveshjen finale përfundimtare”, tha ai.

Raportimi i kryeministrit Hoti për dialogun është duke vazhduar në Kuvendin e Kosovës.

***

Kryeministri Avdullah Hoti gjatë raportimit për dialogun në Kuvendin e Kosovës, i është përgjigjur deklaratave të presidentit Hashim Thaçi dhe opozitës të cilët e cilësuan si të rrezikshme marrëveshjen e arritur në Washington.

Hoti tha cilësimi i marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë si e rrezikshme për Kosovën është gabim strategjik.

“Nuk mund të hesht pak ndaj të pavërtetave që thuhen vazhdimisht për marrëveshjen e arritur në Washington dhe procesin e dialogut në tërësi. Cilësimi i marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë, si marrëveshje e dhembshme dhe e rrezikshme për Kosovën është gabim strategjik. Një deklarim i tillë është edhe i pasinqertë, pasi ata që kur u nënshkrua marrëveshja me 4 shtator e cilësuan si të rrezikshme, para dy dite e ngritën në qiell këtë marrëveshje për shkak të sigurimit të njohjes nga Izraeli”, tha Hoti.

Kryeministri ndër të tjera tha se si mund të jetë e dëmshme një marrëveshje që nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë e cila ka sponsorizuar Pavarësinë e Kosovës dhe është shteti kyc që ka ndikuar që të kemi gjithë ato njohje dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

“Si mund të jetë e dëmshme për Kosovën një marrëveshje që sjell 1 miliardë dollarë amerikan mbështetje për projektet infrastrukturore dhe njohje të reja… Ata që tentojnë të ndjellin frikë te qytetarët për dialog e kanë gabim dhe e bëjnë për motive tjera që ata i dinë, unë nuk kam frikë të ulem në tavolinën e dialogut”, u shpreh Hoti.

***

Pas pauzës rreth dy orëshe ka nisur seanca plenare ku kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë për dialogun dhe marrëveshjen ekonomike me Serbinë.

Hoti dy javë më parë në Uashington ka nënshkruar letrat e zotimit për normalizim ekonomik me shtetin fqinj.

Ndërsa sot po vazhdon dialogu në nivel më të ulët të përfaqësimit në Bruksel.

Ndërsa, në paraditen e sotme është mbajtur vazhdimi i seancës, në të cilën seancë nuk u votua projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

***

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se orët shtesë dhe shtesa e rrezikshmërisë për policët e Kosovës do të paguhen në pagën e shtatorit. Kurse, shujta do të paguhet gjatë tetorit, eventualisht në nëntor për të gjithë policët të cilëve iu kërkojnë të qëndrojnë nga 12 orë në punë.

Hoti duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetëve, ka thënë se është takuar me drejtues të sindikatës së policisë dhe i kanë evidentuar orët shtesë që i nuk janë paguar ende që nga viti i kaluar dhe janë dakorduar që edhe shtesën e rrezikshmërisë ta paguajnë. Ndërkohë, tha po bisedojnë për koston e shujtës për policës që janë angazhuar nga 12 orë gjatë kohës së pandemisë .

Hoti: Pagesa e orëve shtesë dhe rrezikshmëria paguhet menjëherë për policinë

“Disa zgjidhen menjëherë siç janë pagesa e orëve shtesë, shtesa e rrezikshmërisë dhe besoj për disa javë, brenda muajit do të marrim vendim edhe për shujtën se si mund ta përmbyllim, në bazë të kostos që ka. Ndërkaq, për sigurimin shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm, besoj që nga viti i ardhshëm do të bëjmë një zgjidhje sistematike afatgjate“, tha Hoti.

Menjëherë ka reaguar deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se gjendja e policisë është e rëndë.

Musliu: Caktoni datë kur do të merret vendimi

“Sot Policia e Kosovës i ka kërkesat prioritare dhe emergjente që duhet të zgjidhen dhe nga ju pres jo menjëherë dhe së shpejt, do të thotë kurrë por ta caktoni me datë se kur do të merret vendimi për të realizuar kërkesat të cilat janë prioritare dhe të domosdoshme“, tha ajo.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmira Kollqaku kërkesat e Policisë janë të arsyeshme.

“Ministri i punëve të brendshme edhe kryeministri ta marrin parasysh që mos të ndodhë ajo që askush nuk dëshiron të ndodhë, protesta e atyre që do të duhej të kujdeseshin për rendin dhe qetësinë”, tha ajo

Sërish ka reaguar kryeministri Hoti.

Hoti: Po dëshironi veç me shajt qeverinë

“A e di ku e keni hallin ju, ju doni të ballafaqoheni me mua me shajt këtë qeveri, nuk iu intereson problemi i police. Këtu është problemi, nëse shtrohet çështja që me trego kohen datën kur fillojnë me i marrë këto shtesa, por mënyra si po e shtroni këtë çështje deputetja besoj që ju fare nuk keni të drejt. Unë e kam gjet këtë situatë me 390 euro pagë pazë të policëve që dalin në rrugë. Unë i kam 3 muaj si kryeministër, pyetni policët kur kam qenë ministër i financave, si kanë kaluar, por ju po doni ta ktheni çdo gjë politike…orët shtesë dhe shtesa e rrezikshmërisë paguhen në pagën e shtatorit. Shujtën jemi duke bërë përgatitjet, nuk e dimë ende koston sa do të jetë besoj gjatë tetorit eventualisht në nëntor do ta paguajmë për të gjithë policët të cilëve iu kërkojmë të qëndrojnë nga 12 orë në punë. Për sigurimin shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm deri në fund të vitit i kryejmë përgatitjet e nevojshme dhe shpresojmë që nga janari të adresojmë këtë çështje“, tha Hoti.