Hoti konfirmon takimin në Uashington: Do të bisedojmë për projekte madhore ekonomike

0

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka konfirmuar takimin e 2 shtatorit me Serbinë në Uashington, me ftesë të emisarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ai ka konfirmuar se temë e diskutimit do të jetë ekonomia.

“SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka”, ka shkruar ai në Facebook.

Grenelli lajmin për këtë takim e ka bërë në mëngjesin e së premtes.

Takimi vjen pas dështimit të atij të 27 qershorit, që ishte anuluar pas ngritjes së aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale.