Hoti sot perballet me dy interpelanca

0

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot në ora 14:00 për të diskutuar mbi pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara dhe caktimin e datës për mbajtjen e seancës së re plenare, në të cilën pritet të mbahen dy interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit do të vendosin për vazhdimin e seancës plenare ku në rend dite do të jenë pikat e papërfunduara nga seancat e 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25, 28 shtator, 8 dhe 16 tetor: votimi në parim i Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, votimi i Propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, votimi i propozim-rezolutës nga interpelanca e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, përkatësisht në Karaçevë të Kamenicës dhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë COVID-19.

Në pikat e papërfunduara nga seancat plenare më 8, 12 dhe 16 tetor janë votimi në parim i Projektligjit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Automjete, votimi i Propozim-rezolutës nga interpelanca me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, mbështetur edhe nga 8 deputetë të GP të PDK-së, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike.

Ndërsa pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 16 dhe 21 tetor janë: votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, votimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Kosovës dhe BERZH, votimi i Projektligjit për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e impiantit të ujërave të zeza në Gjilan, votimi në parim i Projektligjit për peticione, votimi në parim i Projektligjit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për lirinë fetare dhe votimi në parim i Projekt Kodit Civil të Kosovës.

Kryesia e Kuvendit do të vendosë edhe pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 21 tetor: votimi i Propozim-rezolutës nga interpelanca me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, votimi i Propozim-rezolutës nga interpelanca me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik” dhe votimi i Propozim-rezolutës nga interpelanca me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Seanca e re plenare do të ketë në rendin e ditës interpelancën me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”. Hoti do të ketë një interpelancë të dytë, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”.

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës, debati parlamentar lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për t’u kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës, zgjedhja e drejtorëve të Bordit të NP KOSTT-it nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe kuotës gjinore, zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave, janë temat tjera të cilat do të jenë pjesë e diskutimeve të deputetëve në seancën e re plenare. Po ashtu, në rendin e ditës do të jetë edhe kërkesa e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës për miratimin e buxhetit të këtij komisioni hetimor.