Është kryetar ne KBI-në qytetin e Kaçanikut. Por, hoxhë Fidaim Fazliu ka nisur një mision tjetër, atë për pajtimin e gjaqeve të familjeve shqiptare.
Ai ka rrëfyer për tëvë1 momentin kur ka vendosur që të merret intensivisht me këtë mision.
“Ideja ka lind kur kam shku në një familje dhe e kam pyet një djalë që po na shërbente diçka i kam thënë në cilën klasë je, më tha ‘me u kon isha në të 12-tën, i thashë pse ‘me u konë’, pse nuk e ke vazhdu shkollën? Më tha ‘por ne jemi në bela’. M’ka lëndu shumë, thashë në shek. 21 neve ende paskemi kësi njerëz kësi familje, populli nuk është i tillë është human që do zgjidhje, paqe dhe kam fillu”, tha Fazliu.
Pajtimin mes familjeve, Fazliu e vlerëson si ndjenjë të papërshkrueshme, teksa shton se gjatë këtij procesi ka edhe vështirësi.
“Shumë është ndjenjë e papërshkruar të ju them të drejtën gjatë procesit them inshallah ia dalë edhe kësaj, nëse ia dalë amo tjetër nuk filloj. Mirëpo në atë moment ku i bëj bashkë e kur e shoh atë lumturi buzëqeshje ato lotë që rrjedhin nga gëzimi kur i marr telefontat dmth na i ke kthy jetën për së mbari, na i ke hap rrugën e horizontit nuk kemi pas gjumë të rehatshëm në familje nuk kemi mujt me zhvillu jetën normale… vërtet kur marr fjalë të tilla thua duhet t’ia fillojmë edhe dytës, është gëzim papërshkrueshëm”, shtoi ai.
Imami nga Kaçaniku ka bërë thirrje nga institucionet por edhe nga intelektualët që të bëjnë më shumë në këtë drejtim.
“Sikur që edhe njerëzit e vullnetit të mirë edhe intelektualët të ngjallen sepse jemi në një pikë ku dëgjon shumë njerëz duke thënë i kemi institucionet, po i kemi, i kemi bërë me gjak mirëpo edhe ligji e njeh çështjen e ndërmjetësimit, ndoshta po e marrin dënimin e merituar por hasmëria nuk po përfundon dhe kemi raste pasi që e ka marrë dënimin ka ndodh vrasje. Kështu që intelektualët, njerëzit ata të cilët flasin për atdhetarizëm më shumë duhet bërë në këtë drejtim”, deklaroi Fazliu.
Ndryshe, që nga viti 2007 Fazliu ka arritur që t’i përfundojë rreth 200 raste të hasmërisë mes familjeve.
Kronika e gazetarit Lindrit Zejnullahu.