Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e fundit e shqyrtoi dhe e miratoi Planin Operativ për programet dhe masat aktive për punësime dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2022, shkruan Alsat.
Me Planin Operativ përcaktohen programet, masat dhe shërbimet për punësim.
“Qëllimi është të sigurohen vende të reja të punës, mbështetje për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e punësimit, veçanërisht të të rinjve, të papunëve afatgjatë dhe shfrytëzuesve të ndihmës sociale, si dhe mbështetje për personat e papunësuar të cilëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës gjatë krizës së shkaktuar nga pandemia me KOVID-19, gjegjësisht nga data 11 mars 2020”, deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Sipas tij Plani Operativ për punësim pritet të përfshijë 14.685 persona, ndërsa për programet, masat dhe shërbimet për punësim janë paraparë mbi 1,8 miliardë denarë.
“Gjithashtu, Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi informacionin për nënshkrimin e Memorandumit për mirëkuptimi ndërmjet Agjencisë për Rini dhe Sport dhe Ministrisë së Rinisë dhe Sportit të Republikës të Bullgarisë për bashkëpunim në fushën e të rinjve dhe sportit. Qëllimi i këtij Memorandumi është thellimi i marrëdhënieve në mes dy vendeve, përkatësisht avancimit të bashkëpunimit mes të rinjve edhe në sferën e sportit”, tha Hoxha.