Xhezair Shaqiri i njohur si komandant Hoxha i UÇK-së ka vijuar rrëfimin për konfliktin e vitit 2001 dhe përkujtimin e bashkëluftëtarëv. Ja përshkrimi i tij:
Më kujtohet takimi i parë me Dëshmorin Beqir Sadiku nga Slupçani, rrugës për në Haraçinë. Ishte me ushtarët e parë vullnetarë. Rrugës natën më ra në vesh një bisedë e ëmbël me shaka ndërmjet Beqës dhe Arushës nga Presheva. Aty ishte edhe Sora nga Kumanova, një djalë i heshtur e i butë në biseda. Kuptohet, atë natë rrugëtimi për në Haraçinë, u njoha për herë të parë me shumë djem trima vullnetarë të cilët pranuan ta sfidonin jetën dhe armikun.
Me të mbërritur në Haraçinë filloi formimi i strukturave komanduese të batalionit të UÇK-së. Beqa, me sinqeritetin e tij dhe përvojën në luftën e Kosovës dhe të UÇPMB-së, më bindi se ishte i aftë për t’u emëruar komandant i Togut të parë, dhe pasi e propozova, ai pranoi. Shokun e tij, Soren, e kishte zëvendëskomandant të togut të tij.
Gjatë përgatitjeve të pozicioneve të UÇK-së, me shpejtësi u desh ngutje, pasi maqedonasit na diktuan që jemi futur në Haraçinë dhe aktivitetet tona u shtuan. Mbas disa ditësh, Beqa u plagos në qafë nga një pjesë e granatës. Para ofensivës, maqedonasit na provokonin me gjuajtje sporadike, dhe unë, i shqetësuar, bashkë me shokët tjerë, e dërguam Beqën në Likovë e pastaj të merrte rrugën për spitalet e Kosovës, pasi që plaga ishte në qafë, në një vend shumë delikat.
Mbas disa ditësh, unë me disa ushtarë u nisëm për në Likovë për të marrë armatim që posedonte magazina e UÇK-së në Slupçan. Në rrugën për në Likovë, pashë Beqën dhe u befasova, sepse unë mendoja që ai duhej të ishte tashmë në spitalet e Kosovës.
E pyes pak me ton shqetësues: “Beqo, pse nuk ke shku në Kosovë?” etj. Ai ma ktheu: “Jo bre shok, se s’kam gjë, mirë jam.” Por kur pyeta në spitalin e UÇK-së në Likovë, më thanë se e kemi rekomanduar për në Kosovë, por ky vetë nuk po pranon.
Beqa, prapë kur u ktheva për në Haraçinë, më u lirua mas. Dhe të them të drejtën, edhe pse nuk isha dakord, ishte vështirë t’ia prishje qejfin një djali simpatik e i sinqertë si Beqja.
Edhe pse u kthyem në Haraçinë, Beqën nuk desha ta angazhoj në aktivitete para përgatitjeve në terren dhe e mbajta në shtab afër meje.
Ditën e parë, të premten kur filloi ofensiva, filluan të shfaqeshin probleme në pozicionet tona nga sulmet e ashpra. Mbasi kërkova nga komandant Teli të intervenonte në pozicionin mbrapa rrugës së Nagoshtakut, më lajmërohet ushtari Ibrahim Tërshana dhe më thotë se gulimovi është bllokuar e forcat maqedonase na janë afruar shumë. Në atë moment, unë kërkoj një ushtar që di të çmontojë gulimovin – përveç Beqës, asnjë nuk dinte – dhe i thashë me të prej: “Jo ti, Beq!”
Duke pritur përgjigjen që të më tregonin për ndonjë ushtar që dinte ta përdorte gulimovin, Beqa veç u nis – dhe ishte e kotë të tentoje ta ndaloje.
Beqir Sadiku shkoi në front, edhe pse ishte i plagosur, për të luftuar në vijë të parë të frontit me armikun.
Një veti interesante qe e kam dalluar tek Beqa ishte edhe mos’ndarja e shqiptarëve ne baza krahinore, për të nuk ekzistonte shqiptar i Kosovës, i luginës apo i Iliridës, por për të Shqiptari ishte NJË TRUP I VETËM. Kjo u dëshmua pasi la vendlindjen e tij Sllupçanin (qe po ashtu ishte ne luftë) dhe erdhi ra për Haraçinen tonë të shenjtë.
Qudi, kam takuar në keto luftra dëshmorë qe ishin lindur për luftë, dhe nuk kishte njeri qe i ndalte pos vdekjes për lirinë e popullit tyre. I tillë ishte shoku jonë, heroi ynë, Beqir Sadiku! Allahu e pastë mëshirue dhe ne takoftë ne firdaus”, ka shkruar Shaqiri.(INA)