Hoxhaj: Dorëhiqem nëse raportet me SHBA shkojnë në pikën zero

0

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se partnerët e koalicionit e kanë vendosur taksën bashkë dhe bashkë duhet ta pezullojnë. I ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Hoxhaj ka thënë nëse ka një temë që mban bashkë këtë koalicion qeveritar ajo është tema e dialogut.
Por, sipas tij, një marrëveshje e tillë për t’u ratifikuar në Kuvendin e Kosovës duhen së paku 80 vota dhe këtu duhet edhe mbështetja e LDK-së, pasi vota e Vetëvendosjes “është e kontrolluar”.

Hoxhaj ka thënë se politika është sport shumë i rëndë, dhe sipas tij në mëngjes dikush të godet e në mbrëmje dikë e godet. Zëvendëskryetari i PDK-së ka thënë se ka ende hapësirë për t’u arritur një marrëveshje me Haradinajn. Më tej është shprehur se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse raportet me SHBA-në vendosen në pikën zero.

“Ne nuk mundem në pafundësi që të krijojmë një situatë që të tjerët të na presin. Kam frikë se nëse bashkimi Evropian ka kushtëzuar të ardhmen e Serbisë përmes Kosovës, kjo nuk do të ndodhë në pafundësi”, tha ndër të tjera Enver Hoxhaj.