Hulumtimet prioritet i rëndësishëm në UEJL- rreth 3% e buxhetit për hulumtime shkencore

0

Universiteti i Evropës Juglindore ndan 3% të buxhetit të tij për të përkrahur dhe nxitur stafin të kryejnë hulumtime. Çdo vit, secili staf akademik ka në dispozicion një shumë të caktuar nga Fondi për hulumtime, që mund ta përdor për të realizuar hulumtime, ose për të realizuar pjesëmarrje në konferenca hulumtuese.

“Kjo është shuma më e madhe që një universitet ndan për hulumtime nëse e kemi parasysh kapacitetin dhe numrin e stafit akademik që Universiteti ka. Aktualisht një pjesë e madhe e profesorëve e shfrytëzojnë këtë mundësi, duke qenë pjesë e konferencave të njohura ndërkombëtare dhe duke prezantuar punime shkencore hulumtuese”, thotë Besa Arifi, prorektore për Hulumtime dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar e UEJL-së.

Studentët në të gjitha ciklet e studimit kanë mundësi të përfshihen në punën hulumtuese, duke qenë pjesëmarrës në konferencat, që organizohen enkas në Universitet, ku ata involvohen në organizim dhe krijojnë eksperienca se si bëhen hulumtimet, projektet hulumtuese dhe si bëhet një punim hulumtues. Studentët e magjistraturës dhe doktoratës përfshihen direkt në punën hulumtuese të Universitetit, duke iu mundësuar që punimet e tyre t’i botojnë në revistën hulumtuese shkencore të Universitetit “SEEU Review”.

“Anëtarët e stafit akademik i regjistrojnë botimet e tyre hulumtuese në Bazën e të dhënave për hulumtim të Universitetit dhe suksesi individual hulumtues vlerësohet gjatë procesit të vlerësimit vjetor të tyre. Të gjitha këto të dhëna shqyrtohen drejtpërsëdrejti gjatë diskutimeve rreth promovimit të mundshëm në thirrje mësimore -shkencore për stafin mësimdhënës.”, thotë prorektorja Arifi.

Universiteti ka dy institute hulumtuese kryesore, të cilët kanë për qëllim nxitjen e hulumtimit bashkëpunues dhe multidisciplinar në mesin e stafit të UEJL-së dhe me partnerët e jashtëm.

Instituti Hulumtues “Maks van der Shtul” i koordinon projektet e mëdha të universitetit që përfshinë shkencat politike, juridike dhe sociale dhe Institutin e Mjedisit dhe Shëndetit, i cili fokusohet kryesisht në çështjet që përfshijnë menaxhimin e shëndetit dhe administrimin ekologjik.

Në kuadër të Institutit “Maks van der Shtul” nga viti i ardhshëm akademik, do të ofrohen programe Fellowship, ku nga secili fakultet, do të përzgjidhet nga një student i doktoratës, i cili do të angazhohet dhe do të ketë mundësi të realizojë hulumtime brenda institutit.

Po ashtu, në kuadër të këtyre instituteve, grupe kërkimore të stafit të përzgjedhur dhe të bashkëpunëtorëve kombinojnë specializimet e tyre duke realizuar punë shkencore që prezantohen në nivel ndërkombëtar.

UEJL ka zhvilluar projekte hulumtuese nga fondet e brendshme hulumtuese, projekte TEMPUS dhe ka qenë koordinator në projekte të tjera hulumtuese ndërkombëtare të financuara nga FP7, RRPP, UNDP, ASO, Erasmus+, etj.

Së fundmi, Institututi “Maks van der Shtul” dhe Qendra për Inovacionin e Biznesit janë fitues të një granti, që ndahet nga projekti H2020, të Bashkimit Evropian. Me grantin e fituar (faza e parë), do të mundësohen eksperimente me teknologjinë e Cloud Computing, duke përdorur pajisjet reale (wireless nodes), që ndodhen të shpërndarë në qytetin Antverp të Belgjikës. Rezultatet nga eksperimentet do të jenë në shërbim të kompanive të Parkut Teknologjik të UEJL-së dhe do të mundësojnë që studentët e magjistraturës dhe doktoratës, të publikojnë në konferencat më me renome botërore.

Kjo është hera e parë e bashkëpunimit mes Institutit “Maks van der Shtul” dhe Qendrës së Inovacionit të Biznesit, në kuptimin e bashkëpunimit mes hulumtuesve dhe industustrisë, duke e përdorur qendrën si link për këtë bashkëpunim.