Prokuroria Publike në Shkup ka paraqitur kallëzim penal ndaj disa personave nga Shkupi Manastiri dhe një shtetas i Kosovës, ndaj dy kompanive nga Shkupi dhe një nga Gostivari lidhur me aksidentin fatal të 2 shtatorit kur në afërsi të pikës së pagesës Shkup-Kumanovë humbën jetën babë e bir nga Opaja e Kumanovës në autostradën që po punohej dhe nuk ishin siguruar kushtet e duhura të lëvizjes, përcjell INA.
Grupi ngarkohet me akuzën “shkaktimi i rrezikut gjatë punimeve të ndërtimit” dhe “rrezikimi i sigurisë në komunikacion” në kuadër të kodit penal.
Më datë 02.09.2024 në ora 11:30 në SPB Shkup është raportuar se në autostradën Shkup – Kumanovë, rreth dy kilometra para pikës së pagesës Miladinovc, automjeti i pasagjerëve “Mercedes” me targa të Kumanovës, i drejtuar nga B.A. (34) nga fshati Opajë, Kumanovë është përplasur në tabelat e vendosura në komunikacion për devijimin e komunikacionit dhe tek një kamion të ndaluar në mënyrë të paligjshme në një korsi, i cili ishte i kompanisë që po merrej me rindërtimin e autostradës. Në aksident si pasojë e plagëve të rënda ndërroi jetë 34 vjeçari dhe fëmiu i tij i moshës së mitur. (INA)