Hysaj vjen me një deklaratë të fortë pas fitores ndaj Beneventos

Një Napoli i tillë, nuk ishte parë prej vitesh dhe është një nge pretendentët kryesorë për titullin në Seria A, por ndërsa tifozët prisnin përforcime të reja gjatë merkatos së dimrit, kjo gjë nuk ndodhi.

Vendimit të klubit për të mos bërë asnjë ndërhyrje në merkaton e mbyllur para pak ditësh e ka mbrojtur edhe mbrojtësi i kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj, i cili është përgjigjur me një batutë kur është pyetur për këtë çështje.

“Ndoshta nëse do të vinte dikush do të bëhej më keq, këtë nuk e dimë, por ne jemi mirë kështu”, deklaroi Hysaj.

Mbrëmjen e kaluar Hysaj doli triumfues në derbin kuqezi kundër dyshes Gjimshiti-Memushaj.

Benevento, me Gjimshitin titullar dhe Memushajn në stol, mundi të rezistonte thuajse 20 minuta, pasi pikërisht para mesit të pjesës së parë Mertens, i ndihmuar edhe nga devijimi i mbrojtjes realizoi golin e parë të sfidës.

Sapo nisi pjesa e dytë, Hamsik shënoi të dytin pas një aksioni model të napolitanëve. Kaq i mjaftoi skuadrës së Sarrit për të kontrolluar më pas rezultatin, pa harxhuar shumë energji.

Në minutën e 68-të trajneri i Beneventos Roberto De Zerbi aktivizoi Memushajn për t’i dhënë më shumë fantazi lojës, por asgjë nuk ndryshoi në pjesën e mbetur të takimit.

Me këtë fitore, Napoli vijon të ruaj kreun e renditjes me 60 pikë pas 23 javësh, një më shumë se Juventus. /Blic/