I dha Aeroportin e Vlorës, Pacolli i “serviloset” Ramës publikisht (FOTO LAJM)

Vetëm dy ditë më parë Kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht për mediat nga faqja e tij zyrtare në Facebook, se Aeroporti i Vlorës do të ndërtohej nga Behgjet Pacolli, politikan dhe biznesmen shqiptar nga Kosova.

“Baza e këtij Konsorciumi është një kompani e famshme, një kompania me vepra fantastike, që ka një flamur shqiptar, kompania e Behgjet Pacollit. Jam i lumtur që më në fund Behgjet Pacolli do ta ketë mundësinë provojë atë që prej kohësh ka dëshiruar ta provojë. Që prej kohësh më ankohet si nuk mu dha mundësia të investoj në Shqipëri, të lë gjurmën time në Shqipëri, të mbetet pjesë e veprës sime. Duke pasur një partner si Behgjet Pacolli, ne kemi mundësinë që ta vëmë para përgjegjësisë së madhe të nderit në raport me mbarë popullin, dhe të jemi të çliruar nga çdo pengesë e natyrës së marrëdhënieve me kompanitë e huaja, që mund të jenë kaq të mira, por në një moment të caktuar bëhen të ftohta, shurdhe, qorre përballë kërkesave që ti mund të kesh”, u shpreh Rama.

Për këtë projekt, qytetari shqiptar taksapagues do të detyrohet të paguajë 138 milionë euro përgjatë një periudhe dhjetëvjeçare, një shifër kjo aspak modeste. Por duket se Pacolli nuk ka pritur dot që t’ja kthejë “nderin” Ramës dhe në videon ku kryeministri Rama takonte Ministrin e jashtëm italian dhe Presidentin e Rajonit të Pulias, ai ka komentuar me superlativa dhe lëvdata.

“Je vërtet gjigant kryeministri im, Edi Rama”-shkruan Pacolli në gjuhën italiane. Servilosje të tilla mes politikanëve duket se nuk sjellin asgjë të mirë, madje bëhen të rënda për t’u përtypur në një kohë kur qeverisja e ka mendjen të ndërtojë aeroporte me çmime stratosferike, kur nga ana tjetër edhe spitalet i ka akoma pa mbaruar. /albeu.com/