I keqësohet gjendja 11-vjeçares në Zvicër, gjen shërimin në Kosovë

Një histori e rrallë i ka ndodhur një vajze të re shqiptare që jeton në Zvicër. Aurora, në Kosovë gjeti ilaçin e shërimit pas disa tentativave të mjekëve zviceranë që nuk po ia dilnin ta shëronin krahun e saj të djegur.

Ne jemi mësuar të shohim kronika të rënda televizive, ku familjarët kërkojnë mbështetje financiare për t’i dërguar të afërmit e tyre për shërim jashtë vendit, por të shohim dikë që shkon nga Zvicra në Kosovë për të kërkuar shërim, është e rrallë.

Megjithatë kjo ka ndodhur dhe 11 vjeçja është drejt shërimit të plotë falë mjekimit alternativ që ka gjetur në Kosovë.

Aurora Idrizi ishte përvëluar me ujë të nxehtë para disa javësh në shtëpinë e saj. Krahu i djathtë i saj kishte pësuar djegie të shkallës së dytë B, që nënkuptonte dëmtim të thellë, gjegjësisht djegie të trupit.

Ajo kishte vuajtur shumë për dy javë me radhë duke u trajtuar me metoda të ndryshme mjekimi që kishin provuar mjekët e spitalit të St. Gallenit. Por ata nuk po arrinin ta shëronin plagën pa ndërhyrje kirurgjikale.

Mjekët në fjalë kishin planifikuar një operacion ku Aurorës do t`i merrej një pjesë e lëkurës nga koka dhe do t`i qepej në pjesën e djegur të krahut të djathë. Për të ruajtur kështu sado pak natyralitetin e lëkures, sepse ndryshe, mjekët i kishin thënë babait të Aurorës, vajzës do t`i dukej plaga e djegies përgjithmonë dhe më e keqja, plaga nuk po shërohej.

“Pas dy javësh trajtim, Aurorës iu keqësua gjendja edhe më shumë. Mjekët po më kërkonin leje për ta operuar, duke më treguar se do t`i merrnin lekurën nga koka për t`ia vënë në pjesën e krahut të djegur. Ata më thanë s’ka tjetër mundësi përveç operacionit dhe shenjat e djegies në krah do të mbeten. Kurse nëse nuk funksionon operaconi i parë, duhet bërë edhe ndërhyrjen e dytë”, i kishin thënë mjekët babait të Aurorës, Imri Idrizit.