I nxehti dhe sëmundjet e zemrës, shamngni futjen në ujë të ftohtë dhe orët e pikut (VIDEO)

Gjatë verës, i nxehti është armiku kryesor i personave që vuajnë nga patologji kardiake. Mjeku kardiolog, Taulant Gishto, shpjegon për Ora News se të rrezikuar nga temperaturat e larta janë edhe të rinjtë. Bashkë me verën vjen edhe rreziku që i nxehti shkakton në shëndetin e qytetarëve.

Ekspozimi për një kohë të gjatë në diell na rrezikon të gjithëve njëlloj, por më të riskuar janë ata që vuajnë nga patologji kardiake. Mjeku kardiolog,Taulant Gishto, shpjegon se askush nuk është imun ndaj temperaturave të larta, madje problemet me zemrën gjatë kësaj stine mund të shfaqen edhe te të rinjtë.

“Ka një diferencë temperaturash midis të qëndruarit jashtë në diell dhe futjes në ujë të ftohtë në det. Kjo shoqërohet me fatalitete. Ky është problemi i sëmundjeve kardiovaskulare të fshehura. E konsiderojmë më të rrezikshëm një pacient që është 45-55 vjeç i cili mund të ketë pllaka të vogla që çahen shumë shpejt sesa një pacient që ka një sëmundje të vjetër me pllaka të kalcifikuara”. E rëndësishme gjatë ditëve të nxehta është shmangia e orëve të pikut, por edhe konsumimi i ushqimit të shëndetshëm. Mjeku Gishto jep këto këshilla për qytetarët.