I riu nga Haraçina: Ika në Gjermani, na mashtroi politika

0

Arbër Çeliku
Teksa prisja në hollin e aeroportit Berlin Schoenefeld për të hipur në aeroplanin për në Shkup, m’u drejtua një djalosh i ri nga Haraçina: “Si je profesor? Të njoh nga televizori, je i vetmi zë që po jehon në ndryshimin e realitetit”. Sapo kishte hyrë në të 22-tat dhe punonte te mixha i tij në ndërtimtari me armaturë. “I ndihmoj familjes. Na gënjyen partitë politike, secila me radhë, dhe mbetëm pa bukë. Këtu nuk më pëlqen aspak, por s’kam rrugëzgjidhje tjetër. Fajin ua vë prindërve, familjarëve, fisit të gjerë. Ata na mashtruan neve, kurse vetë ata i mashtroi politika”. Në fytyrë ishte zbehur krejt, e kishte nga puna e rëndë jashtë, në shi, borë dhe furtunë, mua m’u dhimbs jashtë mase, por ndihej më i plotësuar se në vendin e vet. Të paktën i ishte kthyer realitetit, iluzioni nuk ishte më strumbullari i veprimtarisë së tij jetësore…