I ruajmë shtëpitë ‘tona’, por e shkatërrojmë atë që na e ka dhënë Zoti!

“Të vjen të qash kur e sheh në çka janë shndërruar brigjet e lumenjve tanë. Dikur, për shembull, lumi Treska ishte nga më të pastërtit e Maqedonisë. E sot, kur për shtëpinë e përbashkët që na e ka dhënë Zoti, kujdesen kryetarët komunal demokratik, brigjet e këtij lumi janë të mbuluar me mbeturinat, të cilat, të papenguar, i hedhin shtëpiarët e vendbanimeve përreth.

Shpesh më rastis të takoj disa nga ata që papastërtinë e shtëpisë së vet, e hedhin në ‘oborrin’ e Tempullit që na e ka dhuruar e ndërtuar Perëndia – nëpër brigjet e lumenjve dhe kudo që është pronë e Zotit, e që ne e llogarisim si të askujt.

Dhe të gjithë ata janë besimtarë që nuk lënë xhuma namaz pa falur, e lëre më të mos agjërojnë. Andaj edhe them në vetvete: si nuk u gjet një hoxhë, mësues apo prift, tu tregojë se nuk ka as xhami as kish, se as pesë vaktet e namazit dhe tridhjetë ditët e të Shenjtit Ramazan, nuk mund të të shpërlajnë nga mëkati që e bënë duke e shkatërruar Faltoren më madhështore që na e ka dhënë Zoti – Natyrën.

Dhe sado e rëndë dhe e turpshme të jetë, duhet pranuar: komunat e drejtuara nga shqiptarët, dallojnë nga ato të tjerat, kryesisht për nga papastërtia. Shpjegime ka sa të duash: nga ato infrastrukturoret e deri te investimet e bëra ndër dekada nëpër vendbanimet joshqiptare, por shpjegimet nuk janë arsyetim sepse, ruajtja e ambientit jetësorë ka të bëjë me atë që ke në kokë, e jo me atë që ke në xhep.

Dhe nëse ne shqiptarët e Maqedonisë do vazhdojmë ta shkatërrojmë ambientin jetësor me egërsinë e deritanishëm, nuk është e largët dita kur të vetmen oazë të gjelbër do e kemi BDI-në!” (Kim Mehmeti)