Fero i “zhdukur” që 1 javë, policia nuk gjen gjurmë të tij.
Reperi Feronit Shabani, i njohur me nofkën “Fero”, tash e një javë është në kërkim nga Policia e Kosovës. Në një lagje të Gjilanit, ai kishte shtënë me armë dhe pastaj ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani për Gazetën Insajderi njoftoi se i dyshuari F.SH është ende në arrati.
“Ende nuk është arrestuar. Po vazhdon kërkimi i tij nga ana e Policisë” – tha Hashani.
Me datë 29 dhjetor të vitit që lam pas, Fero kishte shkuar në një lagje të qytetit të Gjilanit, kishte shtënë me armë dhe pastaj ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Siç u raportua, nga të shtënat nuk ka pësuar lëndime trupore askush.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacion Policor Gjilan me datën 29.12.2022 në orët e mbrëmjes ka pranuar në informacion se i dyshuari F.Sh. (1994) shtetas i Kosovës me veturën e tij ka shkuar në një lagje të qytetit të Gjilanit dhe po sa ka dalë nga vetura ka shtënë një herë me armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes”, njoftuan nga Policia.
Ndryshe, Fero dhe gruaja e tij, Arbenita Ismajli kanë qëndruar larg rrjeteve sociale këto ditë.