Sekretari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në Click Plus në TV21 deklaroi se Alternativa po synon që të krijojë adresën për votat opozitare që kërkojnë ndryshimin. Kjo sipas tij, është më se e nevojshme për shkak të politikat e dështuara të BDI-së. Sipas Ibrahimit, 300.000 shqiptarë e kanë braktisur vendin gjatë qeverisjes 20-vjeçare të BDI-së. Ai tha se në këto 20 vjet, BDI-ja ka arritur që të sjellë vetëm 3 investime në Maqedoninë Perëndimore, ndërsa në Maqedoninë Lindore nuk ka mbetur njeri pa punë.
“Në Kavadar nuk ka njeri pa punë. Në Shtip nuk ka njeri pa punë. Në Gjevgjeli po bëhet një investim 400 milionësh në një zonë të gjelbërt. Një kompani nga Tajvani 250 milionë euro do t’i investojë në Maqedoninë Lindore”, tha Ibrahimi.
Ai tha se gjatë kohës së BDI-së janë shpërngulur më shumë shqiptarë sesa në kohën e Rankoviçit. Sipas tij, rezultatet e BDI-së në 20 vjet e bëjnë këtë parti të dëmshme për shqiptarët.
“Ende në çdo fshat shqiptar edhe 20 vite pas qeverisjes të BDI-së është temë uji, kanalizimi, dritat. Nuk flasim për shtëpi të kulturës, fshatarët me vet organizim bëjnë asfaltin, ujin. Shihni të gjithë funksionarët e BDI-së, cila ka qenë pasuria e tyre që ka qenë para se të hyjnë në politikë dhe cila është tani. Ajo parti është bërë e dëmshme për interesin e shqiptarëve”, deklaroi Ibrahimi.