Identiteti kombëtar dhe fetar i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut

0

Nga Merxhan Jakupi

Pas pavarësisë së Republikës së Kosovës, në skenë dolën disa shkombëtarizues që vuanin nga kriza e identitetit. Këta shkombëtarizues dolën me tezën se Kosova si shtet, me flamurin dhe himnin e vet, por edhe me gjuhën që i përket gegërishtes, në të ardhmen duhet të krijojnë edhe kombin e vet. Këta diletantë e utopistë ordinerë nxisin animozitet dhe pasiguri, duke tentuar të krijojnë një identitet të veçantë që të ndahet kombi shqiptar sipas etniteteve.

Divergjencat dhe antagonizmat kulturore, provinciale e dialektike nuk ekzistojnë vetëm tek shqiptarët, porse këto fenomene janë të pranishme edhe tek të gjithë popujt e tjerë. Për shembull, serbët dhe kroatët kanë mikro-etnitete, si shumadinasit dhe dallmatinasit, zagorasit, hercegovasit etj., por ata nuk tentojnë që të krijojnë identitete të veçanta.

* * *

Ringjallja e fantazmave të këtyre shkombëtarizuesve dhe mohuesve të identitetit është bërë si traumë dhe është shndërruar në sindromë. Po ashtu, këta falsifikues ordinerë dhe protagonistë dalin me teza, akuza dhe intriga se shqiptarët e Maqedonisë kanë një identitet anadollak, islam e oriental. Ata thonë se shqiptarët e Maqedonisë janë të kthyer me kokë nga Meka, ndërsa disa subjekte politike janë nën agjendën dhe diskursin politik të Taip Erdoganit, për shkak të trashëgimisë historike dhe sundimit gjatë shekujve të Perandorisë osmane, që i përket kulturës lindore ose orientale islame.

Nuk ka argumente dhe dëshmi të bazuara se shqiptarët e Maqedonisë kanë një identitet që ka elemente pan-osmane, ndërkaq shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë kanë identitete aksidentale evropiane. Duhet thënë qartë se shqiptarët e Maqedonisë kanë identitet si i gjithë kombi shqiptar. E vërteta është se shqiptarët e Maqedonisë janë më tradicionalë, konservatorë e patriarkalë në disa zona rurale, por këto elemente janë edhe në Kosovë dhe në Shqipëri, në zona të thella rurale e të pazhvilluara.

KOSOVA KA QENË BURIM DRITE PËR SHQIPTARËT E MAQEDONISË

Në një kontekst historik edhe te shqiptarët e Maqedonisë nocioni komb ka qenë si identitet më koherent se identiteti fetar. Shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë të unifikuar dhe të piketuar në të vetmin identitet. Ata as më pak e as më shumë nuk janë kombëtarizues ose shkombëtarizues se shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë e në trojet e tjera. Shqiptarët e Maqedonisë kanë të njëjta atribute dhe tipare kombëtare, të njëjtat kode, tradita, gjuhë e kulturë, folklorin ilirik dhe epik.

Shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë të diskriminuar e majorizuar sikurse në Kosovë, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi. Për shkak të diskriminimit, shqiptarët kanë dalë shumë herët në mërgim. Në ish-Jugosllavi, shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë më të integruar, jo në aspekt të krizës së identitetit e inferioritetit, ata kanë migruar pas Luftës së Parë Botërore në Rumani (Vllahi) dhe Çekosllovaki, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore në të gjitha ish-republikat jugosllave, ku kanë punuar në gastronomi. Kanë pasur dyqane, sidomos në tërë bregdetin e Adriatikut të pjesës jugosllave, kanë qenë shpirtërisht të lidhur me Kosovën, si me lidhje martesore e miqësore. Për shqiptarët e Maqedonisë, Kosova ka qenë e vetmja dritë dhe shpresë gjatë viteve 1970-1980.

Universiteti i Prishtinës ishte tempulli dhe idhulli i të rinjve shqiptarë. Në universitetet e Maqedonisë veriore, studentët shqiptarë nuk pranoheshin, po të ishin edhe tepër inteligjentë. Ka qenë i vogël numri i studentëve që kanë vazhduar studimet në kohën e ish-Jugosllavisë, në universitetet e Maqedonisë dhe të Serbisë. Këta studentë, nga urrejtja dhe albanofobia, narcizmi e superioriteti, dukeshin sikur të kishin zbritur nga marsi.

IDENTITETI DHE MITET E NJË KOMBI

Shqiptarët e Maqedonisë kanë pasur kritika nga disa akademikë, intelektualë e historianë nga Tirana dhe Prishtina. Shkaku i tyre ka qenë se shqiptarët e Maqedonisë, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe fillimit të pluralizmit, janë zhytur shumë në islam, duke ndërtuar xhami, medrese dhe institucione fetare. Një ndër shkaqet dhe fenomenet e shqiptarëve të Maqedonisë, si dhe minoriteteve të tjera, si të turqve, boshnjakëve dhe torbeshëve që kanë ndërtuar objekte fetare, ka qenë një akt i revanshizmit ndaj shtypjes së tyre në vendin ku jetonin.

Në anën tjetër, pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë, nacionalistët, populistët dhe liderët politikë të VMRO-DPMNE-së, si dhe klerikët, teknokratët konservatorë e dogmatikë kanë ndërtuar kisha, manastire dhe kanë ngritur kryqe kolosale në vendbanime të banuar me popullatë shqiptare e komunitete të tjera myslimane. Për shkak të krizës së identitetit, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, nacionalistët, akademikët dhe klerikët dolën me tezën se janë pasardhësit e Aleksandërit të Madh, që është pikë reference mes Maqedonisë së lashtë dhe Maqedonisë së sotme, duke uzurpuar dhe ndërtuar historinë mbi mite, një histori artificiale e grabitur nga trashëgimia e popujve fqinjë.

Ndërtimi i kishave, manastireve dhe kryqeve në vendbanime shqiptare është projekt i qarqeve akademike dhe kishtare për gjeneratat e ardhshme, ndërsa toponimet gjeografike dhe të dhënat demografike kanë shpirt ortodoksie dhe mbajnë ngjyrën e popullit maqedonas. Maqedonasit kanë mbi 2000 kisha dhe manastire dhe akoma janë duke ngritur kryqe. Për nacionalistët dhe pan-sllavistët ortodoksë se rrugën e ndërtimit të identitetit dhe të hegjemonisë, thonë se shqiptarët kanë ardhur nga veriu i Shqipërisë para dy shekujve. Për ndërtimin e kishave, manastireve, xhamive dhe teqeve në Ballkan dhe në Maqedoni nga qarqet e Perëndimit ka pasur kritika. Një analist, ekspert perëndimor shkruan se ballkanasit, pas shembjes së komunizmit, janë kthyer në nacionalizëm dhe religjion, me flamuj të vjetër që shpijnë drejt mesjetës.