Idrizi braktisi koalicionin me Ramën, darkat e tij sekrete me Erion Veliaj dhe Lulzim Bashën?!

0

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duket se ka vendosur të sfidojë hapur kryeministrin Edi Rama. Teksa kreu i qeverisë e përzuri Shpëtim Idrizin nga “tepsia e pushtetit”, kryebashkiaku Veliaj duket se do të vijojë aleancën me të. Gazeta “SOT” ka mësuar se mbrëmjen e së mërkurës Shpëtim Idrizi ka konsumuar dy darka të ndryshme me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryebashkiakun Erion Veliaj në një restorant pranë rrugës së Elbasanit. Fillimisht, mësohet se kreu i çamëve ka pritur Bashën, me të cilin jo vetëm që ka konsumuar darkë, por në këtë takim është finalizuar edhe kalimi i PDIU në kampin opozitar. Mirëpo, nga ana tjetër gazeta mësoi se pas largimit të kryedemokratit Basha, tryezës së Idrizit i është bashkuar kryebashkiaku Veliaj. Mësohet se Veliaj dhe Idrizi kanë qëndruar gjatë me njëri-tjetrin, ku në fokus të diskutimeve ka qenë vijimi i bashkëpunimit sa i takon Bashkisë së Tiranës, edhe pse gazeta e ka deklaruar se ka një aleancë fluide Veliaj-Idrizi. Gazeta ka mësuar se Veliaj ja ka bërë të ditur Idrizit se do e ketë mbështetjen tij dhe në opozitë, ndërkohë që po ashtu Idrizi ja ka bërë të ditur se dhe ai do e përkrahë.

Idrizi mban në “këmbë” Veliajn

Mjafton të kujtojmë këtu mbledhjet e Këshillit Bashkiak, ku Veliajn në shumicën dërmuese të vendimeve e kanë shpëtuar votat e këshilltarëve të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Aktualisht, Partia Socialiste ka 32 këshilltarë në Bashkinë e Tiranës. Më konkretisht: 25 këshilltarë PS i ka të sajat, 3 të PDIU dhe 4 i ikën LSI, duke u bashkuar me PS. Thënë më troç, Veliaj tashmë është i varur tek partia e Shpëtim Idrizit, sepse nëse i ikin tre këshilltarë të PDIU, atëherë mazhoranca do të humbiste shumicën e votave në Këshillin Bashkiak, duke kaluar në opozitë dhe mos miratuar asnjë vendim. Megjithatë, një gjë është e sigurt që Veliaj me këto lëvizje po sfidon hapur kryeministrin Edi Rama, edhe pse shefi i qeverisë e “zbythi” Idrizin, në një kohë që ky i fundit i “lutej” që ta mbante në koalicion. Pra, kryebashkiaku Veliaj përmes këtyre manovrave kërkon që të mos prish qejfin me asnjë, ku përmes shtrëngimit të duarve me “armiqtë” e Ramës, në një farë mënyre forcon edhe pozitat e tij në bashki. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Veliaj “flirton” me Topin dhe LSI

Mirëpo, nuk ndalet me kaq, pasi takimet dhe “flirtet” e kryebashkiakut Erion Veliaj kanë nisur me kundërshtarët më të mëdhenj të kryeministrit Edi Rama, nuk janë të panjohura për publikun. Gazeta e ka deklaruar më parë se teksa zgjedhjet vendore po afrojnë, Veliaj përveç aleancës me Idrizin është afruar edhe me Kryemadhin, parti e së cilës herë pas here i kadhën votat e nevojshme sa i takon vendimeve të Këshillit Bashkiak. Madje, disa prej këshilltarëve të LSI kanë kaluar zyrtarisht me Veliaj. Ndërkohë së fundmi Veliaj është afruar dhe me Bamir Topin. Ky i fundit në çdo dalje publike e ka vlerësuar, ndërsa Veliaj mban ende në detyrë nënkryetarin e bashkisë të FRD dhe shumë punonjës të saj./Rigels SELIMAN (Sot.com.al)