Idrizi me Metën: Jemi me ty, Çamëria nuk përjashtohet!

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka theksuar mbrëmjen e sotme se presidenti Ilir Meta, ka vepruar drejtë përsa i përket kërkesë së tij, drejtuar Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushatit, për të kërkuar më shumë detaje lidhur me Plotfuqishmërinë për të filluar në mënyrë zyrtare negociatat me Greqinë për disa çështje të mbetur pezull mes dy vendeve.

I ftuar në ‘Studio e Hapur’ të Eni Vasilit, Idrzi u shpreh se ka shumë rëndësi transparenca në këtë proces, duke shtuar se presidenti është në tagrin e tij të dijë më shumë për bisedimet që janë bërë mes Greqisë dhe Shqipërisë nga qeveria jonë.

“Presidenti është në tagrin e vet që të njohë negociatorët, të gjithë ne e duam ta kemi këtë informacion. Po kështu duhet të ketë dijeni për bisedimet dhe negociatat. Është me shumë rëndësi të ketë transparencë për këtë proces”, u shpreh Idrizi.

Pas kërkesë së Bushatit për të marrë Plotfuqishmëri për negociatorët që do të diskutojnë me palën greke për çështje të mbetura pezull mes dy vendeve, Meta ka kërkuar më shumë të dhëna lidhur me negociatorët si dhe plotësimin e disa kërkesave ligjore që janë përcaktuar qartë nga vendi i gjykatës Kushtetuese të vitit 2010.