Fazli Hoxha, 23-vjeçar, u privua nga jeta me armë zjarri në prill të vitit 2022 në parkingun e restorantit “Villa Park” në fshatin Volljakë të Klinës. Viktima paraprakisht ishte sulmuar edhe me mjete të forta. Me lëndime trupore mbetën edhe vëllezërit e tij Mahmuti dhe Alberti.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar të martën për ngritjen e aktakuzës kundër gjashtë personave të familjes Gashi për bashkëkryerje të vrasjes së rëndë. Gazeta Express ka siguruar aktakuzën në të cilën përshkruhet në detaje rrjedha e konfliktit ku gjithçka dyshohet se nisi për një borxh prej 300 eurosh – rast ky që kishte ndodhur në Itali.
Prokuroria e Pejës pretendon se familjarët Gashi tentuan t’i privojnë nga jeta edhe dy vëllezërit e viktimës, duke i goditur në vazhdimësi me mjete të forta dhe duke shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre.
Sipas aktakuzës, tre vëllezër të të dëmtuarve (Hoxha) kishin rrahur një vëlla të të pandehurve Gashi, për një borxh prej 300 euro në Brescia të Italisë. Por që vrasja pastaj ndodhi për hakmarrje në Kosovë.
Në natën tragjike me 28.04.2022 rreth orës 20:30 në fshatin Volljakë të Klinës, të pandehurit kishin lokalizuar vendndodhjen e viktimave, ku viktimat kishin shkuar me familje në restorant për iftar.
Në dispozitivin e parë të aktakuzës së ngritur shkruan se viktima Fazli Hoxha u godit nga një predhë në kokë, përkatësisht në syrin e majtë, “duke tejshkuar kokën dhe duke përfunduar pas veshit të djathtë, i cili rrëzohet pa shenja jete”. Sipas aktakuzës së prokurorisë, viktima u godit edhe i shtrirë dy herë me lopatë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje u kishin dalë në pritë viktimave.